Bajrami: Qeveria Kurti nuk ka aprovuar pako për ringjallje ekonomike në vlerë të 420 milionë eurove

Bajrami: Qeveria Kurti nuk ka aprovuar pako për ringjallje ekonomike në vlerë të 420 milionë eurove

Ish-ministrja e Financave në Qeverinë Hoti, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se në projektbuxhetin e vitit 2022 nuk është përfshirë pakoja e ringjalljes ekonomike, në vlerë të 420 milionë eurove.

Sipas saj, nuk ka pasur as pako të ringjalljes ekonomike, në vlerë të 450 milionë eurove, siç thotë se e ka proklamuar Qeveria Kurti.

“Nuk ka pako të ringjalljes ekonomike në vlerë prej 420 milionë euro në projekt-buxhetin e vitit 2022, as nuk ka pasur pako të ringjalljes ekonomike në vlerë prej 450 milionë euro në buxhetin e rishikuar të vitit 2021, siç e kanë proklamuar Qeveria dhe shumica në Kuvend”, shkroi ndër të tjera ajo në Facebook.

Ajo e ka publikuar një tabelë, e cila thotë se është shkëputur nga raporti 9-mujor i buxhetit të shtetit. Në këtë tabelë shihet se shuma e cila është bërë për menaxhimin e pandemisë dhe rimëkëmbjen e ekonomisë është 127.9 milionë euro.

“Shihni vetë sa është pakoja e rimëkëmbjes-ringjalljes ekonomike: fotoja është pjesë e shkëputur nga Raporti nëntëmujor i vitit 2021 i Buxhetit të Kosovës, ku shihet që pakoja e rimëkëmbjes – ringjalljes është 127.9 milionë euro. Dokument ky i aprovuar në Qeveri dhe i nënshkruar nga z. Kurti”, ka përfunduar ajo.

Related Articles