Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar sot lidhur me dyshimet e ngritura për keqpërdorime në sektorin e enegjisë, raporton Gazeta Enigma.
Ajo thekson se “Prokuroria e Kosovës duhet ta dijë se s’ka korrupsion më të madh sesa korrupsioni që po ndodhë me energji”
“Duhet të hetohet çdo gjë. Duhet të hetohet KEK-u: Pse remontet bëhen dimrit? A është prodhuar më shumë verës e natën kur nuk kemi konsum dhe më pak ditën duke ndikuar në rritjen e importit? Të hetohen tenderët dhe ndikimi i realizimit të tyre në kapacitetet gjeneruese dhe rritjen e importit? Duhet të hetohet Qeveroa/Ministria e Ekonomisë dhe ndërhyrjet politike në KEK, ZRrE dhe KOSTT. Duhet të hetohet KOSTT-i: Si është e mundur që çmimet në ALPEX janë më të shtrenjta sesa në HUPX gjatë tërë vitit 2024 dhe gjatë viti 2025? Si është lejuar të kalojë importi i energjisë me çmim transporti deri në 800 euro për MWh? Duhet të hetohet ZRrE-ja, sepse kjo licencon KEK-un, KOSTT-in dhe të gjithë operatorët privatë. Duhet të hetohet NOA si tregtari më i madh i energjisë dhe lidhjet e kësaj kompanie me Serbi e me këdo në Kosovë si dhe kompanitë dhe palët e tjera përfituese në krejt këtë situatë”, tha Bajrami.
Sipas saj kushdo që e zbardh këtë skemë do të hyjë në historinë e këtij shteti “si patrioti më i madh i “pasluftës.” “Përndryshe, nëse ky skandal i përmasave të Watergate heshtet dijeni të gjithë se do të shkatërrojë ekonominë e këtij vendi dhe do ta varfërojë çdo familje në Kosovë”.
“Mos harroni, në Kosovë janë mbi 700 mijë njehsorë/matës të energjisë – një euro më shumë në muaj për secilin, llogaritni sa kushton, por rritja prej 128% sa mendoni se është? E rritja deri në 260% për 1300 biznese – sa? Krejt këto kanë koston e të ardhmës së këtij vendi – nuk guxojmë me u bë peng i këtyre përfituesëve, andaj na duhet reagim!”, theksoi Bajrami në një reagim në “Facebook”. / Gazeta Enigma.