Ballkani ndalet në barazim nga Dukagjini

Ballkani ndalet në barazim nga Dukagjini

Ballkani është ndalur në barazim 1-1 nga Dukagjini i Klinës.

Mysafirët më mirë e nisën ndeshjen, kur në minutën e 18-të fituan penallti pasi Lorenc Trashi e pengoi në zonë Iljesa Zulfiun.

I saktë nga pika e bardhë ishte Otto John që realizoi për 0-1. Ballkani shtoi trysninë duke krijuar disa raste të mira shënimi, por pa sukses.

Kësisoj 45 minutat e para të kësaj sfide u mbyllën me epërsinë minimale të mysafirëve 0-1.

Por klinasit nuk arritën ta mbanin epërsinë më shumë se nëntë minuta në pjesën e dytë, kur Albion Rrahmani realizoi me kokë për 1-1 pas asistimit nga Nazmi Gripshi.

Ballkani vazhdoi me sulme deri në fund të ndeshjes duke tentuar me Rrahmanin, Gripshin, Potokun e Korenicën, por pa arritur të gjenin golin e fitores.

Kësisoj sfida në Suharekë u mbyll me rezultat të barabartë 1-1.

Ballkani vazhdon të mbetet në krye të tabelës me 48 pikë, derisa Dukagjini është në vendin e gjashtë me 26 sosh.

Në xhiron e 23-të Ballkani do të ketë punë me Prishtinën në udhëtim, derisa Dukagjini para tifozëve të vet pret Gjilanin. 

Related Articles