Pavarësisht thirrjes së ndërkombëtarëve për heqjen e barrikadave të cilat janë vendosur më 10 dhjetor, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Përkundrazi, serbët kanë vendosur edhe një pengesë tjetër në fshatin Çabër në veri të Mitrovicës.
Barrikadat janë shtuar në ditën kur Serbia paralajmëroi t’i kërkojë zyrtarisht NATO-s lejimin e kthimit të trupave ushtarake në Kosovë.
Serbët kanë vendosur barrikada të reja të enjten në fshatin Çabër, në veri të Mitrovicës, pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtarëve për largimin e tyre. Pengesat u shtuan pas atyre që u vendosën më 10 dhjetor, pasi autoritetet e Kosovës arrestuan ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, nën dyshimin për demolim të zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor.
Pas vendosjes së barrikadave, ka pasur edhe gjuajtje me armë dhe shok-bomba në drejtim të Policisë dhe ekipeve të gazetarëve në veri.
Qeveria e ka lënë në dorën e KFOR-it për t’i hequr pengesat, por që deri tash ka munguar një aksion nga forca që ia garanton kufijtë Kosovës.
Rreth situatës së krijuar në veri, së fundi është deklaruar edhe kryetarja e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
“Jam thellësisht e shqetësuar nga zhvillimet e fundit në veri të Kosovës. Kërcënimet dhe aktet e përsëritura të frikësimit dhe dhunës nga individë të armatosur, përfshirë sulmin e kësaj fundjave ndaj një patrullimi zbulues të Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX, Kosovë) janë të papranueshme. Ata që janë përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi. Barrikadat e ngritura në veri të Kosovës duhet të hiqen menjëherë”, ka thënë Jowlle Garriaud-Maylan, kryetare e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Veç pengesave, presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka paralajmëruar se të enjten do të adresojë kërkesë zyrtare për kthimin e një pjese të trupave serbe në Kosovë.
Ndërkaq qëndrime të ndryshme kanë dhënë diplomatët amerikanë për mundësinë e rikthimit të ushtrisë së serbe. Emisari për Ballkanin Perëndimor gjatë vizitës në Prishtinë tha se e kundërshtojnë kthimin e trupave serbe, duke shtuar se Kosova ka garanci të forta sigurie nga SHBA-ja.
Por, ambasadori i këtij vendi në Beograd, Christopher Hill, ka thënë të enjten se Qeveria e Serbisë ka të drejtë t’i drejtohet KFOR-it për kthimin e ushtrisë në Kosovë.
“Natyrisht se Qeveria e Serbisë ka të drejtë t’i drejtohet KFOR-it. Por kjo është një çështje që mbetet politike dhe prandaj kërkon një zgjidhje politike. Unë nuk shoh mundësinë e një zgjidhjeje ushtarake. Ajo që duhet të bëhet është ta qetësojmë situatën dhe të krijojmë paqe dhe stabilitet në atë zonë. Dhe që njerëzit që jetojnë atje mund të kenë pritshmëri të qarta se si do të jetë jeta e tyre në të ardhmen dhe kjo mund të arrihet përmes themelimit të Asociacionit”, ka thënë Hilli.
Tendenca për t’u përfshirë në zhvillimet rreth Kosovës ka shfaqur edhe Rusia. Mediat në Serbi kanë transmetuar deklaratën e zëdhënëses së Kremlinit, e cila ka folur për udhëzimet që i janë dhënë ambasadorit rus në Beograd.
“Sa i përket ambasadës në Beograd, ambasadori rus në Serbi, i cili është në kontakt të ngushtë me lidershipin serb, ka marrë udhëzime për të ndërmarrë hapa konkretë të mbështetjes, të cilat konsistojnë në normalizimin apo propozimin e mënyrave për normalizimin e situatës. Ne jemi në pritje të reagimit të Beogradit”, është shprehur zëdhënësja e MPJ-së së Rusisë, Maria Zakharova.
Serbia është ndër shtetet e vetme në rajon që refuzoi t’i vërë sanksione Rusisë pas agresionit mbi Ukrainën në shkurt të këtij viti, me gjithë kërkesat e Perëndimit.