Batatina jep lajmin e madh për llapjanët: Ilir Krasniqi Krasniqi i gatshëm për ndeshjen ndaj Dritës

Batatina jep lajmin e madh për llapjanët: Ilir Krasniqi Krasniqi i gatshëm për ndeshjen ndaj Dritës

Llapi e nisi mirë sezonin 2022/2023 duke fituar me rezultat 0-1 ndaj Drenicës, mirëpo tri ndeshjet e mira nuk kaloi aq mirë, pasi i mori dy barazime ndaj Trepçës ’89 dhe Dukagjinit dhe një humbje nga Prishtina.

Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina në kuadër të xhiros së pestë do të përballet me skuadrën e Dritës në Gjilan.

Përballja ndaj Dritës do të jetë e vështirë për Batatinën, pasi skuadra gjilanase vjen pas një barazimi befasues ndaj Ferizajt.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina në një bisedë për Gazetën Enigma ka folur për takimin e nesërm ndaj Dritës.

Batatina e vlerëson skuadrën e Dritës duke e cilësuar si një skuadër të mirë, mirëpo ai thotë se do ta luajnë lojën e tyre ndaj ‘Intelektualve’.

Është fillimi i kampionatit deri të komponohet skuadra ka lëvizje, gjithmonë mund të ketë rezultate befasuese. Sido që të jetë ne do ta bëjmë maksimumin, Drita ka një super skuadër, e dimë që është një skuadër e mirë, një skuadër cilësore, por ne do të mundohemi ta kryejmë punën tonë si ekip, shkojmë të luajmë qet, ç’kado që na sjellë të na sjellë”, thotë Tahir Batatina për Gazetën Enigma.

Ne e dimë potencialin e Dritës me skuadrën të cilën e ka. Jemi dy skuadra që aplikojmë e bëjmë ndeshje të mira. Do të jetë një ndeshje e mirë nga dy skuadrat, cila skuadër të jetë më e mirë të fitojë në fushë”, thotë ai.

Tahir Batatina zbulon për Gazetën Enigma lajmin e madh për tifozët e Llapit, pasi kthehet nga lëndimi njëri prej lojtarëve kryesor të kësaj skuadre, mesfushori Ilir Krasniqi. Përpos Krasniqit rikthehet edhe Benjamin Emini i cili kishte munguar në ndeshjen e fundit për shkak të kartonëve.

Nesër jemi të kompletuar si skuadër pasi kthehet Benjamin Emini prej kartonit, kurse Ilir Krasniqi prej një lëndimi që e ka pasur. Ilir nesër mund të luajë pas rikthimit nga lëndimi, sot e vërejta që është i gatshëm për ndeshje”, zbulon Batatina.

I pyetur se a do të luajë Gerhard Progni prej fillimit në takimin ndaj Dritës, Batatina ka hezituar të jap përgjigje të drejtpërdrejt, mirëpo i ka thurur elozhe ish-kapitenit të SC Gjilanit.

“Gerhard Progni është një super lojtarë, pavarësisht se në dy ndeshje nuk është aktivizu nga fillimi është pjesë e adaptimit me skuadrën, filozofia e klubit, ideologjia se ç’ka dëshiron trajneri. Kur e sheh lojën nga banka rezervë në minutat e parë e sheh sesi duhet me vepru. Mendoj që ndaj Dritës ka me bë një paraqitje të mirë, dinjitoze, ai është një lojtar i padiskutueshëm”, thotë Batatina i cili pret paraqitje të mirë nga Progni në ndeshjen ndaj Dritës.

Humbja apo barazimi ndaj Dritës, sipas Batatinës nuk do të jetë rezultat i cili e fut në krizë skuadrën e tij. Ai thotë se edhe në sezonin e kaluar startin e kishin të dobët për në fund fituan Kupën e Kosovës dhe u pozicionuan në vendin e katërt.

“Llapi nuk hin në krizë, në sezonin e kaluar ka qenë tetë ndeshje me tri pikë edhe ka marrë trofe dhe ka qenë në katër skuadrat e para në elitë. Mendoj që Llapi nuk e ka këtë problem. Dina me dalë nga këto kriza, sidomos dimë me i menaxhu brenda ekipen dhe nuk e kemi problem si me dalë nga kjo krizë e rezultateve”, shprehet Tahir Batatina.

“Nuk mund të them se jemi në krizë të rezultateve sepse i kam marrë dy barazime dhe një fitore nga katër ndeshje, janë pesë pikë, do të thotë me një fitore fitore jem afër me skuadrën e parë në tabelë, është herët për të diskutuar për atë pjesë. Besoj që ne dimë të dalim nga kjo situatë kam një fond të mjaftueshëm të lojtarëve të cilët po fillojnë me komponu me ekipën me njoftë filozofinë e ekipës”, thotë Batatina.

Në takimin e fundit mes këtyre dy ekipeve, Llapi triumfoi me rezultat 2-1 në finalen e Kupës së Kosovës që u zhvillua më 26 maj në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.  Kurse në katër takimet e fundit në Superligë, Drita i kishte fituar dy prej tyre dhe dy ishin mbyllur me barazim./GAZETA ENIGMA/

Related Articles