Të ashpër me vendimin e autoriteteve kosovare, për të mos i lejuar serbët e Kosovës që të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit nga Kosova janë treguar nga Bashkimi Evropian, shkruan Gazeta “Enigma”.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një prononcim për Gazetën “Enigma”, e ka cilësuar këtë vendim si një hap mbrapa të Kosovës drejt BE-së.
“Ne e konsiderojmë këtë vendim në kundërshtim me angazhimet e Kosovës për të ardhmen e saj evropiane dhe parimin e mbrojtjes së të drejtave demokratike të të gjithë qytetarëve të saj, duke përfshirë edhe popullatën jo shumicë”, theksoi tutje ai.
LEXO EDHE: Kurti i bindur ta ndalojë votimin e serbëve në Kosovë, autoritetet serbe “revoltohen”
“Në muajt e fundit, BE-ja është angazhuar në mënyrë aktive, duke përfshirë shtetet e QUINT-it, në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje që do t’u mundësonte votuesve me të drejtë vote në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të marrin pjesë në Serbinë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale”, tha ai.
“Më konkretisht, BE-ja ka vepruar si lehtësues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të gjejë zgjidhje praktike të pranueshme duke përdorur analogji nga praktikat e vendosura evropiane se si organizohet votimi për qytetarët me të drejtë që banojnë jashtë vendit të tyre të origjinës”.
Ai madje ka lavdëruar Serbinë, e cila sipas tij ishte pro gjetjes së një zgjidhje, ndonëse të njëjtën gjë sipas tij nuk e bëri edhe kryeministri Kurti.
Stano tha se për këto zgjedhje do duhej të zbaztoheshin praktikat e mëhershme të Kosovës. “Nuk ka marrëveshje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, por deri më tani të dyja partitë kanë vendosur një praktikë që lejonte votimin fizik në Kosovë. Ky do të kishte qenë opsioni më i zbatueshëm edhe për zgjedhjet e 3 prillit”, shtoi tutje ai.
Ai bëri thirrje palëve që të përmbahen nga veprimet dhe gjuha tensionuese.
“BE-ja tani pret që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga veprimet dhe retorika që mund të rrisin tensionet. Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të dyja palëve që të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociatat në vazhdim në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, deklaroi ai. / Gazeta Enigma.