Bashkimi Evropian ka reaguar pas planit të Qeverisë së Kosovës për të shkallëzuar zbatimin e vendimit për targat, duke thënë se i njëjti nuk është në përputhje me marrëveshjen e arritur në Bruksel. Kryeministri Albin Kurti ndërkaq, të premten deklaroi se partnerët ndërkombëtarë i konfirmuar se plani është në përputhje me këtë marrëveshje.
BE-ja para pak minutave ka dalë me një komunikatë për media në lidhje me vendimin e fundit të Qeverisë Kurti.
“BE-ja ka marrë parasysh vendimin më të fundit të qeverisë së Kosovës në lidhje me targat. Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në Dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative”, thuhet në komunikatën e BE-së.
Tutje, theksohet se vendimi është një hap në drejtim të duhur, por nuk është në përputhje me marrëveshjet e dialogut.
Po ashtu, njëjtë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe BE-ja është shprehur e zhgënjyer që kërkesa e tyre nuk është përfillur.
“Ndërsa vendimi është një hap në drejtimin e duhur, ai nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët. Marrëveshja përkatëse e vitit 2016 parashikonte një proces të renditur dhe të përcaktuar qartë me një afat kohor 12-mujor për procesin e largimit, i cili nuk është ndjekur. Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur”, thekson komunikata.
Në fund, BE-ja u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen dhe të shamngin veprimet që mund të rrezikojnë sigurinë në veri të vendit.
“Është e domosdoshme ruajtja e qetësisë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo retorikë që mund të rrezikojë stabilitetin në terren, veçanërisht në veri të Kosovës. BE-ja do të vazhdojë, së bashku me partnerët e saj, të angazhohet si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë. Ne presim që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim për të gjetur një zgjidhje pa vonesa të mëtejshme, në përputhje të plotë me Marrëveshjet e Dialogut”, thuhet në fund.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të premten kur dha detaje për vendimin në një postim në Tëitter, tha se “partnerët ndërkombëtarë kanë konfirmuar se vendimi është në përputhje me marrëveshjen e Brukselit”.
“Qeveria jonë miratoi sot zbatimin gradual të politikës për targat ilegale të shpallura në qershor, për të cilën partnerët tanë ndërkombëtarë konfirmojnë se është plotësisht në përputhje me marrëveshjen e Brukselit. Vendimi i zbatimit garanton sundimin e ligjit nga njëra anë dhe paqen dhe sigurinë nga ana tjetër”, ka thënë ai.