Bashkimi Evropian po përballet gjithnjë e më shumë me kufizimet e mbështetjes financiare për Ukrainën, ndërsa përshkallëzimi i sulmeve ruse po rëndon ekonominë e vendit, po dobëson mbrojtjen ajrore dhe po rrit varësinë e Kievit nga donatorët ndërkombëtarë, të cilët po përballen vetë me vështirësi financiare.
Diplomatët evropianë pranojnë se lufta mund të zgjasë më shumë sesa ishte parashikuar dhe se udhëheqësit e BE-së do të duhet të diskutojnë mënyra të reja për ta mbështetur Ukrainën.
“Kjo luftë do të zgjasë më shumë sesa mendonim”, tha një diplomat evropian, në kushte anonimiteti. Sipas tij, ekziston një vetëdije në rritje se nevojat e Ukrainës do të vazhdojnë, por ende nuk është e qartë se si do të përmbushen ato.
Një tjetër diplomat theksoi se BE-ja duhet të dërgojë një mesazh të qartë se nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj dhe se do ta shtojë mbështetjen për Ukrainën, si dhe presionin ndaj Rusisë.
Në ditët e fundit, sulmet ruse kanë goditur hekurudha, ura, anije transporti, centrale elektrike, qendra të të dhënave, depo, institucione shëndetësore, shkolla dhe kopshte. Në shënjestër është vënë edhe Akademia Kombëtare e Shkencave e Ukrainës.
Bombardimet e vazhdueshme, me raketa balistike dhe dronë me motor reaktiv, kanë shkaktuar dhjetëra viktima civile. Në Kramatorsk, më shumë se 30 persona u vranë pasi një sulm me bombë ajrore rrëzëu dy autobusë publikë dhe i përfshiu nga flakët.
Të enjten, sulmet ruse e lanë Kievin pa energji elektrike, duke dhënë një paralajmërim të zymtë për dimrin që pritet të jetë ndër më të vështirët që nga fillimi i luftës.
“Kjo është terror kundër njerëzve dhe jetës. Është e rëndësishme që udhëheqësit të mos e injorojnë atë që po ndodh”, deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu solidaritetin me Ukrainën dhe i cilësoi sulmet si “krime lufte”.
Përshkallëzimi po godet rëndë edhe ekonominë ukrainase. Valët e vazhdueshme të dronëve po ndërpresin aktivitetin e përditshëm, po detyrojnë bizneset të mbyllen, po rrisin kostot e materialeve dhe po ulin fitimet e kompanive.
Presionit ekonomik i shtohet edhe bllokada ruse në Detin e Zi, e cila pengon fermerët ukrainas të eksportojnë sasi të mëdha drithi te klientët ndërkombëtarë, duke i privuar shtetit nga një burim i rëndësishëm të ardhurash.
Kjo situatë ka ngritur pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e programeve të shumta të ndihmës së BE-së, veçanërisht për kredinë prej 90 miliardë eurosh, për të cilën liderët evropianë ranë dakord vitin e kaluar. Ajo ishte parashikuar të mbulonte rreth dy të tretat e nevojave financiare të Ukrainës për vitet 2026 dhe 2027.
Kredia u hartua mbi supozimin se lufta do të përfundonte gjatë këtij viti. Përshkallëzimi i sulmeve ruse, megjithatë, e bën gjithnjë e më pak të mundshëm këtë skenar.
Ministri ukrainas i Financave, Sergii Marchenko, ka paralajmëruar se buxheti i vitit 2027 do të jetë më i vështiri që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë. Ai u ka kërkuar donatorëve ndërkombëtarë të mbulojnë një mungesë financimi prej 78 miliardë dollarësh, ose rreth 70 miliardë eurosh.
Komisioni Evropian nuk e ka konfirmuar këtë shifër, e cila është dukshëm më e lartë se 45 miliardë eurot që Brukseli planifikon t’i sigurojë Ukrainës vitin e ardhshëm përmes kredisë së mbështetjes. Komisioni ka premtuar përshpejtimin e pagesave, në varësi të zbatimit të reformave të brendshme nga Kievi.
“Për vitin 2027, situata është vërtet më sfiduese”, deklaroi të premten komisioneri evropian për Ekonominë, Valdis Dombrovskis, pas një takimi të ministrave të Financave. Ai pranoi se ekziston një hendek i konsiderueshëm financimi, ndërsa vlerësimi i saktë i tij është ende në proces.
Brukseli nuk e ka rihapur zyrtarisht debatin për një paketë të re ndihme për Ukrainën, pasi shtetet anëtare janë përfshirë në negociata të vështira për buxhetin e ardhshëm të BE-së. Megjithatë, zyrtarët dhe diplomatët pranojnë privatisht se është vetëm çështje kohe para se liderët të detyrohen ta trajtojnë këtë çështje.
Debati po bëhet më i ndërlikuar për shkak të rritjes së borxhit, ngecjes ekonomike dhe kundërshtimit nga partitë e ekstremit të djathtë. Mungesa e plotë e ndihmës amerikane, e cila më parë ishte një burim kryesor i furnizimit të Ukrainës me armë, e rëndon edhe më shumë situatën.
Disa vende të BE-së kanë tentuar të rikthejnë në diskutim përdorimin e aseteve ruse të ngrira, duke argumentuar se kredia prej 90 miliardë eurosh nuk do të jetë e mjaftueshme. Por Belgjika, vendi ku mbahet pjesa kryesore e këtyre aseteve, ka kundërshtuar këtë ide. Edhe Franca dhe Italia, dy vende me peshë të rëndësishme në vendimmarrje, ngurrojnë të mbështesin një zgjidhje të tillë.
“Për asetet ka ende njëfarë interesi, por e kujtojmë shumë mirë atë që ndodhi në dhjetor”, tha një diplomat i lartë, duke iu referuar samitit ku dështoi propozimi për një mekanizëm financimi të mbështetur në asetet ruse. Pas këtij dështimi, kredia prej 90 miliardë eurosh u hartua si alternativë.
“Për momentin, nuk ka asgjë të re apo thelbësore në tryezë”, shtoi ai.
Mundësia e emetimit të borxhit të përbashkët nga vendet e BE-së, siç u bë për kredinë prej 90 miliardë eurosh, është bërë politikisht më pak e pranueshme për shkak të rritjes së kostove të huamarrjes. Ndërkaq, rritja e kontributeve dypalëshe nga shtetet anëtare mund të rëndojë disa vende më të pasura, veçanërisht Gjermaninë, Holandën dhe shtetet nordike.
Në mungesë të zgjidhjeve të lehta, Brukseli po u kërkon edhe aleatëve të tjerë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Japoninë, të rrisin kontributin e tyre, ndërsa BE-ja shqyrton hapat e ardhshëm.
“Po vlerësojmë edhe mundësi të tjera. Jemi të përkushtuar që Ukraina të ketë financimin e nevojshëm për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, deklaroi Dombrovskis.
