Të gjithë ambasadorët e shteteve në bllokun evropian në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm të Qeverive kanë votuar pro heqjes së vizave për serbët e Kosovës të cilët bartin pasaporta ilegale të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe.
Personat me këtë lloj pasaporte, qytetet e Kosovës i paraqesin si të Serbisë.
Kështu ka njoftuar Presidenca Hungareze e Këshillit të BE-së në një postim të bërë në platformën X.
“Në takimin e sotëm të COREPER II, ambasadorët u pajtuan në parim për një rregullore që siguron që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor t’i nënshtrohet të njëjtit regjim vizash. Kjo do t’i përjashtonte mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe nga nevoja për vizë për qëndrime deri në 90 ditë në shtetet anëtare”, thuhet në njoftim.
Këshilli tani do të duhet të miratojë rregulloren në mbledhjen e tij të ardhshme më 22 korrik.
Qeveria e Kosovës më herët e kishte kritikuar këtë lëvizje, duke thënë se një gjë e tillë vetëm sa do e vonojë integrimin e serbëve të Kosovës. /Gazeta Enigma