Bashkimi Evropian ka kërkuar që procesi zgjedhor në Kosovë duhet të jetë transparent i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike.
Përmes një komunikate të lëshuar nga BE, thuhet se të gjithë kandidatët e kualifikuar duhet të kenë mundësinë të marrin pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës.
“BE-ja dhe shtetet anëtare të saj kanë nënvizuar në konkluzionet e Këshillit të 17 dhjetorit zhvillimet pozitive në Kosovë sa i përket kornizës zgjedhore, bazuar në rekomandimet e BE-së, para zgjedhjeve të 9 shkurtit. Përderisa Kosova dhe qytetarët e saj gëzojnë një demokraci të gjallë, mos certifikimi i një partie politike për shkak të konsideratave politike dhe jo procedurave ligjore do të ishte një pengesë serioze”, thuhet në njoftimin e BE-së.
“Të gjithë kandidatët e kualifikuar duhet të kenë mundësinë të marrin pjesë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës. Procesi i certifikimit duhet të bazohet në standarde dhe procedura ligjore në përputhje me ligjin në fuqi, dhe jo në konsiderata politike. BE-ja thekson se procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike”.
BE pret që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, roli i të cilit në mbikëqyrjen e zgjedhjeve është vendimtar, të sigurojë me të gjitha mekanizmat e aplikueshëm një proces zgjedhor gjithëpërfshirës, të besueshëm dhe transparent, duke u mundësuar votuesve kosovarë që të shprehin qartë zgjedhjet e tyre.
“Përgjegjësia për të ruajtur garancitë demokratike është e të gjithë anëtarëve të KQZ-së, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike. Një çështje e tillë themelore nuk duhet të politizohet dhe të përdoret si zë në fushatën elektorale”, thuhet tutje në komunikatë.