Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, në konferencën e sotme për media në Bruksel, tha se Unioni ka kërkuar sqarime nga Kosova për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për ndalesën e përdorimit të valutave të huaja në vend, përfshirë edhe dinarin serb.
Stano tha se Kosova dhe Serbia duhet që tema të tilla të adresojnë në tavolinën e bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja, raporton Gazeta Express.
“Ne jemi ende duke e analizuar dhe duke kërkuar sqarime për këtë vendim, arsyet, motivet dhe implikimet që ai mund t’i ketë, por në përgjithësi Kosova dhe Serbia pritet që të shmangin veprimet e pakoordinuara që nuk shkojnë në frymën e normalizimit të raporteve dhe që mund të kenë ndikim negativ në stabilitetin në terren”, tha Stano.
“Ne i nxisim të dyja palët dhe iu bëjmë thirrje që të adresojnë këto tema në kornizën e dialogut e lehtësuar nga BE”, shtoi ai.
Më 17 janar, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) njoftoi se nga 1 shkurti, valutë e vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë, do të jetë euroja.
Serbët në Kosovë vazhdojnë të përdorin edhe dinarin si valutë dhe marrin paga në dinarë nga Serbia.