“Befasitë” e zgjedhjeve lokale – Kush fitoi e kush humbi më 12 tetor?

“Befasitë” e zgjedhjeve lokale – Kush fitoi e kush humbi më 12 tetor?

Janë zhvilluar me sukses zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë. Përveç disa incidenteve të vogla, procesi shkoi si mos më mirë, me numërim të shpejtë të votave e informim transparent të qytetarëve nga Komisioni Qendror Zgjedhor. Lëvdata për mbarëvajtjen e procesit Kosova mori edhe nga bashkësia ndërkombëtare, shkruan Gazeta Enigma.

Nga këto zgjedhje, dolën disa befasi, e qytetarët u befasuan edhe më shumë kur numërimi i votave nga KQZ doli ndryshe nga rezultatet e tri exit-polleve.

Befasia më e madhe po konsiderohet të jetë në Drenas, ku Ramiz Lladrovci me partinë e tij “Për Drenasin Kampion”, arriti që ta mposhtë bindshëm ish-partinë e tij, PDK-në, me kandidatin Petrit Hajdari.

Lladrovci mori hiq më pak se 13,140 vota apo 52,31%, ndërsa Hajdari 9,373 vota apo 37,31%.

Në Prishtinë, i pari prin kryetari i tanishëm, Përparim Rama, me 34,752 vota apo 33,76%, por që ndjeket shumë afër nga kandidati i LVV-së, Hajrulla Çeku, me veç 732 vota më pak.

Vlen të ceket se në Prishtinë procesi i numërimit ka arritur deri në 98,88% të votave të numëruara deri më tani, teksa katër kuti ende janë në proces të numërimit.

Garë tepër interesante u zhvillua edhe në Mitrovicë të Jugut, ku edhe pse exit-pollet parashikuan një fitore pa balotazh të kandidatit të PDK-së, Arian Tahirit, numërimi i KQZ-së tregoi një ngritje të shpejtë të kandidatit të LVV-së, Faton Pecit, me këtë të fundit që tani ka veç 28 vota më pak se Tahiri i PDK-së. Fituesi i dyshes do të dihet në balotazh.

Në Gjilan, Alban Hyseni i LVV-së është “nën ethe”, pasi që i duhen edhe fare pak vota për të fituar pa balotazh. Pa numërimin e votave të diasporës dhe atyre me kusht, Hyseni ka 21,463 vota apo 49,79%.

Kush ku fitoi pa balotazh?

Sipas të dhënave preliminare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, garën pa balotazh e fitoi në tri komuna Lëvizja Vetëvendosje (Podujevë, Kamenicë, Shtime), po aq sa edhe Partia Demokratike e Kosovës (Ferizaj, Skënderaj, Hani i Elezit).

Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi në dy komuna (Lipjan, Istog).

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e siguroi fitoren në Deçan, ndërsa Nisma në Malishevë.

Në Mamushë fitoi kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDKP), ndërsa Lista e Ramiz Lladrovcitsiguroi fitoren në Drenas.

Lista Serbe fitoi në 9 komunat e banuara me shumicë serbe, ndërsa në Kllokot prin, por shkon në balotazh me Unitetin Kombëtar Serb.

Kush do garojë me kë në balotazh?

Lëvizja Vetëvendosje do të garojë në balotazh në 12 komuna të tjera. Në dy prej tyre u rendit e para, ndërsa në 10 komuna, kandidatët e LVV-së për kryetarë janë të dytët me vota.

Në balotazh do të garojë në nëntë komuna Lidhja Demokratike e Kosovës. Në gjashtë komuna, ajo u radhit e para, ndërsa në tri të tjera e dyta.

Partia Demokratike e Kosovës do të garojë në balotazh në gjashtë komuna, prej të cilave në katër u radhit e para, ndërsa në dy të tjera, e dyta.

Në pesë komuna do të garojë në balotazh Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ku në katër u radhit e para, ndërsa në një tjetër është e dyta.

LVV “pak” më fituese

Njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani, thotë për Gazetën Enigma se të gjitha partitë janë përafërsisht fituese, por se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më shumë komuna pa balotazh, ndërkohë që edhe në disa të tjera është shumë afër fitores.

“Pra hyn me epërsi të madhe ndaj kandidatëve, kështu që pres qëVetëvendosja të jetë partia me më së shumti komuna të fituara.Ndërkohë, që PDK dhe LDK pritet t’i kenë nga 4 apo 5 komuna”, tha Ramdani.

Sa i përket “dilemës” së Hysenit në Gjilan, Ramadani tha se ka mundësi që me votat e diasporës dhe ato me kusht, të fitojë pa balotazh.

“Pasi që i duhen më pak se 100 vota për ta kaluar 50 përqindëshin. Edhe nëse shkon në balotazh, është një epërsi shumë e madhe për me u përmbysë, pasi edhe sot kandidati i LDK-së, Arbër Ismaili, i akuzoi njerëzit brenda partisë se kanë vrapuar për pazare të vogla”.

Befasia më e madhe

Ramadani thotë për “Enigmën”  se Drenasi është befasia më e madhe.

“Është pritur që Ramiz Lladrovci të jetë i pari, por jo kështu pa balotazh dhe me një dallim të theksuar”, thotë ai.

Asnjë parti nuk mund të krenohet

Njohësi tjetër i çështjeve politike, Xhavit Drenori, thotë se këto zgjedhje nuk kanë nxjerrë fitues absolut, për çka një parti do krenohej.

Megjithatë, Drenori thotë se LVV ka pasur një forcim tëbazamentit të votuesve të saj, në komunat që i ka fituar nëbalotazh katër vite më parë.

“Pra në Podujevë, në Kamenicë dhe në Shtime, ku në këto tri komuna kaloi pa balotazh. Në Gjilan me fare pak vota më shumëmund të fitojë në raundin e dytë, nëse ato me kusht dhe tëdiasporës nuk ia sigurojnë fitoren tani. Në anën tjetër ka dalë e para në Fushë Kosovë dhe në disa komuna tjera, por jo pa balotazh. Pra e gjithë kjo ka një nuancë të fitores së LVV-së”, tha Drenori.

Kush pati rënie?

Sipas Drenorit, subjekti i cili ka pak rënie është ndoshta Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pasi që përveç fitores në Deçan, në komunat tjera që ka udhëhequr, kanë shkuar në balotazh.

“Edhe LDK-ja ka një rënie të lehtë, pasi në Prishtinë, nëse nuk arrihet një marrëveshje me PDK-në, mund të mos e ketë të lehtë fitoren”.

Zgjedhjet lokale dhe formimi i Qeverisë

Drenori parasheh se rezultatet e zgjedhjeve lokale, do ndikojnë në procesin e formimit të Qeverisë së re. Kjo pasi sipas tij, zgjedhjet lokale i kanë shërbyer partive për matjen e “pulsit” të qytetarëve.

“Këto rezultate nuk ijapin një siguri të madhe as VV-së, që tëneglizhojë me krijimin e Qeverisë, me këto ditë që kanë mbetur në dispozicion. Ndërkohë, edhe subjektet tjera, me këto rezultatet që kanë arritur, nuk është se kanë marrë ndonjë sinjal shumë pozitiv nga votuesit, se a janë të gatshme të shkojnë në zgjedhje të parakohshme nacionale. Prandaj, është pritur që rezultatet e zgjedhjeve lokale të japin një sinjal, në atë se a do të ketë një Qeveri Kurti 3 apo nëse vendi do shkojë në zgjedhje. Megjithatë, këto zgjedhje lokale nuk dhanë ndonjë sinjal të qartë se cila parti do të dilte më mirë, në zgjedhjet e parakohshme nacionale”, deklaroi Drenori.

Balotazhi

Raundi i dytë i zgjedhjeve komunale, apo balotazhi, është caktuar të mbahet më 9 nëntor.

Gara ndërmjet partive politike do të vazhdojë në 17 komuna, në të cilat askush nga kandidatët për kryetarë nuk arriti të siguronte mbi 50 për qind të votave. /GAZETA ENIGMA

Related Articles