Bekë Berisha, kryetari i Komisionit parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, e pyeti drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha për rastin e suspendimit të një zyrtari policor në Lipjan, që sipas deputetit, ishte penalizuar për shkak se kishte sharë kur kishte parë që në stacionin policor në fshatin Magure ishin hequr flamuri shtetëror dhe ai kombëtar, si dhe fotografia e Adem Jasharit.
Deputeti i AAK-së tha se polici kur kishte parë se mungonin flamujt dhe fotografia e komandantit të UÇK-së, kishte thënë “kujna ia kom …. me e hjekë Adem Jasharin”, raporton Gazeta Express.
“Policia e ka suspendu një zyrtar policor në Magure të Lipjanit, me arsyetimin se është përfshirë në një incident. Por bazuar në deklaratën e policit dhe në komunikimet e zhvilluara në një grup në Viber, masa është ndërmarrë pasi ai shau kur pa se nga hapësira e brendshme në stacionin policor u hoq flamuri shtetëror e ai kombëtar, bashkë me fotografinë e Adem Jasharit. Tash ky që e ka hjekë fotografinë – unë e di që është një ligj për simbole, duket me pasë kujdes se ka rregulla aty – edhe qenka bë nami që ka thënë ky ‘e kujna ia kom …. me e hjekë Adem Jasharin’”, tha Berisha.
“Ne nuk jemi bë shtet që e zbatojmë ligjin bash qaty. Adem Jasharin e kemi të shenjtë, sikur krejt këto fetë që luftojnë për të drejtat e tyre, edhe për Adem Jasharin është fort e ndieshme me e hjekë dikush, e me u suspendu ky që ka sha ‘kujna ia kom ….. e ka hjekë fotografinë e Adem Jasharit’. Unë mendoj, e nuk e di a jam i vetmi, që qeky që e ka hjekë fotografinë ish dashtë me u suspendu, e jo këta që ka sha kush e ka hjekë. Ky paska qenë veteran i UÇK-së. Atij i del natyrshëm, qysh është kah do me më dalë mu qetu, për qatë shpiunin”, shtoi ai.
Berisha i tha drejtorit të Policisë se PK po i zbaton disa rregulla në mënyrë strikte “kur po është puna te do qesi që përnjëmend janë shqiptarë”.
Në përgjigje, drejtori i Policisë tha se ka pasë edhe probleme tjera mes eprorit dhe zyrtarit policor. Por tha se do të informohet më shumë për rastin e më pas do ta informojnë deputetin përmes e-mailit.
“Te rasti i suspendimit të policit në Lipjan, këtu ka pasë disa probleme mes eprorit të Policisë, atij policit dhe eprorit të tij. Nuk është direkt çështja vetëm te heqja e flamurit dhe fotografisë së heroit, komandantit legjendar, por ka pasë edhe fërkime tjera. Sidoqoftë, ne do të sigurojmë informacionet dhe pastaj do t’ju informojmë përmes e-mailit”, tha Hoxha.
Kryetari i komisionit u shpreh i kënaqur me përgjigjet e drejtorit të Policisë.
“Drejtor, ti tek je drejtori jem, se qeshtu kam qejf me m’u përgjigjë”, tha Bekë Berisha.