Berisha në krye të projektit për ta kthyer Prishtinën në majë të basketbollit kosovar

Berisha në krye të projektit për ta kthyer Prishtinën në majë të basketbollit kosovar

Dardan Berisha është në krye të projektit të Sigal Prishtinës për t’u kthyer fuqishëm në majën e basketbollit kosovar. Kjo synohet gjatë edicionit 2022/23, i cili nis muajin e ardhshëm. Fundori Berisha ishte një prej transferimeve më të mëdha në afatin e rregullt kalimtar të basketbollit që u mbyll javën e shkuar.

Prishtina, që është klubi më i suksesshëm kosovar, nuk e ka fituar titullin prej vitit 2019. Titulli në dy edicionet e fundit ka përfunduar te Golden Eagle Ylli.

Kapiteni i Kosovës, Berisha, është i gatshëm ta udhëheqë Prishtinën drejt kapitullit të ri, siç e quan ai. Berisha e njeh mirë ambientin te Prishtina, ekip për të cilin ka luajtur në katër periudha të ndryshme dhe ka fituar çdo trofe që mund të fitohet në basketbollin kosovar, përfshirë edhe Ligën Ballkanike (BIBL) në dy raste.

Berisha qe larguar nga Prishtina në gjysmën e edicionit 2019/20 për t’u rikthyer te Peja, ku qëndroi deri në fund të kampionatit të shkuar. Ai në një intervistë për KOHËN, të hënën, ka thënë se kishte shumë arsye për t’u kthyer te Prishtina.

“Prishtina është klubi më i madh në shqiptari. Kam kaluar shumë vjet të mira te Prishtina në periudha të ndryshme, ku sukseset nuk kanë munguar. Projekti i klubit ka qenë i mirë dhe shumë i përshtatshëm për mua. Realisht ka shumë arsye që jam kthyer te Prishtina”, ka thënë Berisha. “Ideja e Prishtinës për t’u kthyer në majë të basketbollit kosovar, aty ku edhe e ka vendin, mund të them se ishte njëra prej arsyeve kryesore për kthimin tim. E kam parasysh se kjo sfidë aspak nuk është e lehtë, por jam i gatshëm”.

Berisha nuk e fsheh synimin e tij me Prishtinën në kampionatin e ri. Thotë se është kthyer për titull, i cili atij i mungon prej edicionit 2018/19 sikurse Prishtinës. Ai beson se Prishtina do të ketë ekip për ta sfiduar jo vetëm titullin, por edhe trofetë e tjerë. Në fakt, Prishtina deri më tani ka transferuar vetëm lojtarë vendorë dhe së shpejti pritet që atyre t’ua shtojë edhe të huajt.

“Jam kthyer për titull. Kemi trajner me përvojë dhe presim vetëm lojtarët e huaj pasi me vendorë jemi kompletuar”, shprehet Berisha, i cili insiston se është kthyer në momentin e duhur. “Te Prishtina kam kaluar shumë mirë, ndihem si në shtëpi. Kështu që është me rëndësi se jam kthyer në momentin kur klubi po synon kthimin. Për mua është një kapitull i ri te Prishtina dhe do ta udhëheq ekipin drejt këtij rikthimi të fuqishëm”, u shpreh 33-vjeçari.

Ai pranon se nuk është në formën më të mirë, por shton se do të kthehet dhe se do të komponohet plotësisht me pjesën tjetër të ekipit, që, sipas Berishës, ka ndryshuar shumë në krahasim me edicionin e shkuar.

Berisha pret që edicioni 2022/23 të jetë më interesant dhe më cilësor sesa i shkuari, ku shumë ekipe do të konkurrojnë për trofe.

“Edhe ekipet e tjera janë forcuar shumë, që do të thotë se liga do të jetë shumë e fortë, me konkurrencë të madhe dhe duele cilësore. Po ashtu pres që edhe tifozët të kthehen në numër më të madh në tribuna pasi kampionati do të jetë më se interesant”, shtoi Berisha. “Nuk jam në formën më të mirë, por me kohë do të kthehem edhe unë dhe do të komponohem me ekipin që dallon prej vitit të kaluar. Kemi shumë punë para vetes”.

Berisha shprehet se nga skuadra e Pejës është larguar me kokën lart. Me pejanët Berisha e fitoi Kupën e Kosovës dhe trofeun e Ligës Unike. Ndërsa thotë se titullin ua mohoi pandemia që solli ndërprerjen e kampionatit 2019/20.

“Edhe te Peja u ktheva për suksese, të cilat nuk munguan. Kemi pasur momente shumë të mira dhe lirisht mund të them se titullin e kampionit na e mohoi pandemia pasi u ndërpre sezoni. Pastaj nisi sezoni tjetër në kohë pandemie pa tifozë dhe nuk ishte e lehtë. Megjithatë, fituam Kupën dhe Ligën Unike. Ishte një periudhë e mirë për mua, por në fund nuk arritëm marrëveshje për të vazhduar bashkëpunimin dhe u ndamë në mënyrë shoqërore”, tha Berisha. “Për mua gjithmonë vetëm dy ekipe primare kanë qenë në Kosovë, Peja dhe Prishtina, pasi veten nuk e kam parë në ndonjë ekip tjetër”.

Krahas sukseseve në basketbollin vendor, Berisha synon me Prishtinën të ketë rezultate të mira edhe në arenën ndërkombëtare. Në edicionin 2022/23, Prishtina do të luajë në kualifikime të FIBA Europe Cup, garë në të cilën kishte arritur deri në 1/8 e finales. Prishtina është në gjysmëfinale të fazës kualifikuese ku do të përballet me fituesin e duelit Kaev Cramo dhe Cedevita Junior.

“Sigurisht që synojnë kualifikimin në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup pasi kemi përvojë duke arritur në mesin e 16 ekipeve më të mira. Kualifikimi nuk do të jetë i lehtë aspak, sepse janë dy faza kualifikimi, por jam optimist”, deklaroi Berisha.

Në kualifikime të FIBA Europe Cup do të paraqitet edhe nënkampionia e Kosovës, Trepça. Ndërsa, kampioni Golden Eagle Ylli do të luajë fillimisht në Ligën e Kampionëve.

Related Articles