Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, kritikoi fuqishëm homologun rus, Vladimir Putin, për, siç tha, “sulmin e paramenduar dhe të paprovokuar” kundër Ukrainës.
Biden mbajti të martën mbrëma fjalimin e parë mbi gjendjen në vend. E pranishme në Kongres ishte edhe ambasadorja e Ukrainës në SHBA, Oksana Markarova.
“Gjashtë ditë më parë, Vladimir Putin i Rusisë u përpoq t’i tundte themelet e botës së lirë, duke menduar se mund ta bëjë atë të përkulet përpara mënyrave të tij kërcënuese. Por, ai llogariti keq”, tha Biden, duke e përshkruar popullin ukrainas si “një mur force”, të cilin, siç tha, Putin “nuk e ka imagjinuar kurrë”.
Biden lavdëroi homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe qytetarët ukrainas për, siç tha, “guximin dhe vendosmërinë”, që kanë frymëzuar botën.
“Putini mund ta rrethojë Kievin me tanke, por ai kurrë nuk do të fitojë zemrat dhe shpirtrat e popullit ukrainas”, tha Biden.
Ai tha se SHBA-ja dhe NATO-ja kanë treguar se Perëndimi qëndron përkrah Ukrainës.
Ai tha se historia ka treguar se “kur diktatorët nuk paguajnë çmimin për agresionin e tyre, ata shkaktojnë më shumë kaos”.
“Gjatë gjithë historisë sonë e kemi mësuar këtë mësim”.
“Kjo është arsyeja përse Aleanca e NATO-s është krijuar – për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Shtetet e Bashkuara janë anëtare, së bashku me 29 vende të tjera”, tha Biden. / Gazeta Enigma.