Kostoja e ndërtimit në Kosovë, pas më shumë se një viti rritjeje të vazhdueshme, ka rënë. Megjithatë, kjo nuk ka bërë që të bien edhe çmimet e patundshmërive.
Për një banesë të re në Prishtinë, varësisht lokacionit, blerësi duhet të paguajë nga 900 euro deri në mbi 2.500 euro për metër katror.
Nga Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës thonë se çmimet janë të ngjashme edhe në Prizren – rreth 85 kilometra larg kryeqytetit – ndërsa pak më të ulëta janë në qytetet tjera, si: Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjilan dhe Pejë.
Inflacioni, si gjetiu në botë, ka nisur të rritet në vitin 2021, si pasojë e çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, ndërsa ka vazhduar edhe gjatë 2022-shit, sidomos pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, në shkurt të atij viti.
Shtrenjtimi i materialit ndërtimor ka shtrenjtuar më pas edhe banesat – madje mbi 20 për qind.
Për krahasim, një metër katror i një banese në Fushë Kosovë – gjashtë kilometra larg Prishtinës – ka arritur në 650 euro e më shumë në mars të vitit 2022, nga 500 sa ka qenë vitin paraprak. Çmimi atje vazhdon të jetë i njëjtë, sipas Shoqatës së Ndërtimtarëve.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se mesatarja e kostos së ndërtimit në vitin 2021 dhe 2022 ka shënuar rritje deri në 16 për qind krahasuar me vitin 2020.
Por, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, kostoja e ndërtimit ka rënë për 0.6 për qind, tregojnë të dhënat e ASK-së, të publikuara këtë muaj.
“Çmimi i banesave të reja vështirë se mund të shënojë rënie. Nuk ka pasur rënie [aq të madhe] të kostos së ndërtimit”, thotë kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, Faton Hoxha, për Radion Evropa e Lirë.
“Pothuajse të gjitha shpenzimet dhe materialet ndërtimore kanë çmime të njëjta. Një rënie të vogël të çmimit ka pasur çimentoja dhe hekuri”, thotë ai.
Në një deklaratë për REL-in në mars të vitit të kaluar, Hoxha ka thënë se çmimi i hekurit është rritur për 40%, krahasuar me një vit më herët, ndërsa i çimentos për 80%.
Të dyja këto produkte, sipas tij, kanë pasur rënie të lehtë në fund të vitit të kaluar – çimentoja për 5% dhe hekuri për 10% – por që, sipas tij, vazhdojnë të jenë çmime të larta krahasuar me vitin 2020.
Meriton Cana, nga një agjenci patundshmërish në Prishtinë, thotë se nuk pret që çmimet e banesave të reja të bien këtë vit, marrë parasysh faktin se ato janë ndërtuar me material më të shtrenjtë.
“Në patundshmëri janë dy çmime – ai ofertues dhe i shitjes. Në tre muajt e parë të këtij viti, kemi vërejtur se çmimet ofertuese nuk kanë rënë, por negocimi në çmim ka nisur të bëhet më i madh sesa më herët”, thotë ai.
Një faktor tjetër që mban lart çmimin e banesave është çmimi më i lartë i tokave.
Sipas ueb-faqeve të disa agjencive të patundshmërive, 4 ari tokë në një lagje të Prishtinës shiten deri në 140 mijë euro.
Agjentë të shitjes së patundshmërive thonë për Radion Evropa e Lirë se çmimet e tokave në Prishtinë janë rritur për 30 për qind e më lart, krahasuar me vitin 2020.
Brahim Selimaj, pronar i një kompanie ndërtimesh në Kosovë, thotë se gjatë tre muajve të parë të këtij viti, kërkesat për blerje të patundshmërive kanë rënë.
“Interesimi i blerjes së banesave është shumë i vogël, sepse diaspora ka një rënie të madhe të interesimit për të blerë banesa. Deri në 70 për qind e blerësve në Kosovë kanë qenë nga diaspora”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Selimaj nuk ofron ndonjë përqindje të rënies së shitjeve, por thotë se nëse ky trend vazhdon, sektori i ndërtimit do të bllokohet.
Edhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në një raport të publikuar në muajin gusht të vitit të kaluar, ka parashikuar se sektori i ndërtimit dhe i patundshmërive do të përballet me probleme financiare, për shkak të rritjes së kostove të produkteve dhe lëvizjes së çmimeve.
Sipas raportit, përkeqësimi i situatës do të bëhet më evident, për shkak të “pasigurisë në sjelljen e diasporës kosovare”.
Diaspora e Kosovës, sipas BQK-së, zë vendin e parë sa u përket investimeve të huaja, që bëhen kryesisht në patundshmëri.
Nga mbi 600 milionë euro investime të huaja, sa janë bërë në periudhën janar-tetor 2022, mbi 400 milionë euro kanë shkuar në sektorin e patundshmërisë.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka paralajmëruar në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë në janar, se inflacioni do të bjerë në pjesën e dytë të këtij viti.
Çmimet e naftës dhe benzinës, që kanë arritur kulmin në gusht, janë liruar tashmë. Se si do të vazhdojë trendi për produktet dhe shërbimet e tjera, mbetet të shihet.