Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu ka pritur të premten të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Malit të Zi në Kosovë, Mirsad Biboviq.
Në njoftimin e Presidencës thuhet se në takim, Osmani potencoi se dy vendet tona kanë raporte të mira fqinjësore, të cilat mund të avancohen edhe më tej, për të mirën e qytetarëve të të dyja vendeve.
“Po ashtu, ajo vuri në pah edhe afrinë që qytetarët e Kosovës e kanë me Malin e Zi, sa për shkak të lidhjeve familjare, po aq edhe për traditën e kalimit të pushimeve verore në Ulqin dhe në bregdetin malazez”.
“Në këtë takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në rajon dhe për rëndësinë e bashkërendimit të qëndrimeve për t’i luftuar tendencat dashakëqia, të cilat synojnë destabilizimin e rajonit. Osmani theksoi se malazezët në Kosovë kontribuojnë drejtpërdrejt në diversitetin shoqëror të Republikës së Kosovës dhe se institucionet e Kosovës do të angazhohen gjithnjë për ruajtjen dhe promovimin e të drejtave të tyre dhe të komuniteteve të tjera në vend”, thuhet në njoftim./Gazeta “Enigma”/