Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një konferencë për media me Ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvorak, Bislimi ka insistuar në zbatim të Kushtetutës në të gjitha rastet.
Bislimi ka argumentuar se “të njëjtit miq” thonë që të mos zbatohet neni 11 i Kushtetueses, i cili thotë se vetëm një monedhë qarkullon në Kosovë. Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim që euro të jetë valuta e vetme në Kosovë, çka ka nxitur kritika nga ndërkombëtarët për “përjashtimin” e dinarit.
“Kur është fjala te neni 11 i Kushtetutës, që thotë ka vetëm një monedhë në qarkullim në Kosovë, të njëjtit miq na thonë ‘po këtë mos e zbatoni’. Kushtetuta, ose është e shenjtë, dhe duhet të zbatohet, ose pastaj bëjmë cherry picking [përzgjedhjen më të favorshme]. Nëse duhet të bëjmë cherry picking, po e bëjmë ne. Nëse duhet të zbatohet, atëherë insistoni që të zbatohet në të gjitha rastet”, ka thënë ai.
Kujtojmë se Bashkimi Evropian dhe Gjermania së fundmi kanë drejtuar kritika drejt Qeverisë për ndërhyrje në drejtësi, duke theksuar se vendimet e Kushtetueses duhet të jenë të zbatueshme, përfshirë aktvendimin e 19 majit 2015 për rastin e Manastirit të Deçanit.
Sipas zëvendëskryeministrit, çdo deklarim i tij për sistemin e drejtësisë është certifikim i mosndërhyrjes në drejtësi. Ndërsa ka pyetur se a janë gjykatat e pavarura.
“I kam dy mundësi: ose flas me gjykatësit nëpër mekanizma paralel dhe ndikoj në vendimin e tyre, atëherë nuk kam nevojë të deklarohem publikisht se kam arritur qëllimin, kam ndërhyrë në drejtësi, ose në pamundësi të ndërhyrjes në drejtësi, deklaroj publikisht për brengat që kam. Çdo deklarim publik i imi për problemet me sistem të drejtësisë janë certifikim i mosndërhyrjes në drejtësi. Sepse tregojnë që kam pakënaqësi, dhe nuk kam zgjedhur rrugën e ndërhyrjes. Jo çdo brengë e dikujt që thotë mos ndërhyni në drejtësi, është rezultat i mosndërhyrjes. Pyetjet që duhet ta bëni: sa janë të pavarura gjykatat tona? Është e qartë që gjykatat janë të pavarura nga Qeveria, por a janë të pavarura? Nëse jo, nga kush varen, kush i ndikon vendimet që marrin gjykatat tona? Nëse unë kritikoj një vendim, sepse bash ai vendim nuk është i pavarur. Sepse do të doja që gjykatësi të vendosë në bazë të elementeve pa ndërhyrje nga jashtë, qoftë brenda apo jashtë Kosovës”, ka deklaruar Bislimi.