Zëvendëskryeminstri Besnik Bislimi ka thënë se sipas informatave që ai posedon, Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.
“Raporti i zotit Borrell është parakusht për trajtimin në Këshillien e Evropës, është përpiluar në muajin prill, por ka pasur hezitim që të dërgohet në Komision. Raporti është dashur që të dorëzohet pardje, por një pjesë e Komisionit ka kërkuar pak shtyrje. Besojmë se do të dorëzohet javën tjetër. Informacionet që kam është se përmbajtja e raportit është pozitive dhe rekomandon heqjen e masave”, ka thënë Bislimi teksa është duke raportuar para Komisionit për Integrime Evropiane.
“Masat kanë ekspozuar njëanshmërinë e vet në gjithë këtë proces. Ka pasur tendencë që masat të keqpërdoren”, shtoi ai.
Megjithatë, Bislimi tha se nuk është pezulluar asnjë projekt i BE-së.
“Asnjë projekt që ka qenë duke u zbatuar nuk është pezulluar. IPA 2023 nuk është prekur fare. IPA 2024 është duke u diskutuar në BE, por ajo nuk është miratuar për shkak të masave”, deklaroi ai.
I pyetur se a do të përfitojë Kosova nga 6 miliardë eurot e ndara nga BE për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Në fakt janë 5.4 miliardë euro për shkak se 600 mijë euro janë për sigurimin e financimit e ne ato nuk i shohim. 882 milionë euro i përfiton Kosova prej të cilave gjysma shkon në mbështetje direkte buxhetore, derisa pjesa tjetër për projekte investive. Këto mjete janë të lidhura me reforma. Kur i listova masat thashë se BE-ja ka qenë shumë specifike. Nuk preket Plani i Arritjes”, tha Bislimi. /Gazeta Enigma