Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi, ka thënë se në sytë e Kosovës, Faton Hajrizi është kriminel dhe se në narrativen kosovare, krimineli e ka vendin në burg, teksa në anën tjetër, Serbia e sheh si hero Millan Radoiçiqin, i cili ishte udhëheqës i grupit terrorist në Banjskë më 24 shtator.
Por, sipas Bislimit, ajo që s’po diskutohet e që tha se do të duhej të flitej është se Hajrizi ka ikur nga burgu dhe i ka trajtuar opsionet për ikje në një vend të sigurt.
“Në sytë e Kosovës ai është kriminel dhe në narrativen kosovare krimineli e ka vendin në burg. Por ajo që mendoj që nuk po diskutohet dhe do të duhej të diskutohej përtej propagandës që po e shpërfaqë Serbia është fakti që kur ky person ka dalë nga burgu, ka ikë nga burgu dhe ka trajtuar opsionet për ikje në një vend të sigurt dhe mos harroni ai ka thënë jam në një vend aq të sigurt sa nuk mund të më gjeni kurrë. Ai ka pas opsionin e ikjes drejt Shqipërisë”.
“Ne me Shqipërinë kemi kalimin e integruar të kufirit që është kalim i lehtësuar i kufirit, kemi shumë zona ku kalimi bëhet i lehtë dhe nuk kemi asnjë bazë ushtarake. Në anën tjetër e kemi Serbinë, vend armik që i ka 48 baza dhe është kufiri të cilin Serbia e ruan më së miri nga të gjithë kufijtë e vet”, tha Bislimi në KTV.