Bislimi pas takimit me Lajçak: Rregullorja e BQK-së s’është pjesë e dialogut, Serbia të vazhdojë mbështetjen financiare për serbët e Kosovës

Bislimi pas takimit me Lajçak: Rregullorja e BQK-së s’është pjesë e dialogut, Serbia të vazhdojë mbështetjen financiare për serbët e Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka pritur sot në takimin emisarin evropian, Mirsolav Lajçak me të cilin kanë biseduar mbi ecjen tutje dhe avancimin në zbatimin e Marrëveshjes Bazike.

Në njoftimin e Qeverisë thuhet se Bislimi ka ritheksuar se marrëveshje duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të drejtë e të barabartë mes palëve. Tutje Bislimi ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes është garancë dhe për pranim e zbatim të saj.

Poashtu, Bislimi në këtë takim ka vlerësuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës janë të padrejta dhe i kërkoi emisarit Lajçak që ato të hiqen.

Sa i përket rregullores së BQK-së, Bislimi ka sqaruar se kjo nuk është pjesë e procesit të dialogut, derisa i siguroi Lajçakut që Qeveria ёshtё e interesuar tё sigurojё vazhdimёsinё e mbёshtetjes financiare tё Serbisё për serbët e Kosovës nё fushёn e edukimit, shёndetёsisё dhe mbrojtjes sociale.

Komunikata e Qeverisë:

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në takim u bisedua mbi ecjen tutje dhe avancimin në zbatimin e Marrëveshjes Bazike. Në lidhje me këtë, zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi se marrëveshja duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të barabartë e të balancuar mes palëve. Ai tha se nënshkrimi i marrëveshjes është garancë dhe për pranim e zbatim të saj. Në këtë drejtim, refuzimi nga Serbia dhe letra e kryeministres Brnabiq dhjetorin e kaluar, nuk kontribojnë pozitivisht në frymën e dialogut dhe zbatimin në plotni të marrëveshjes.

Ndërkohë, mbi masat ndëshkuese ndaj Kosovës, u kërkua nga ana e zëvendëskryeministrit Bislimi heqja e tyre sa më parë, ku shprehu se ato janë të padrejta dhe duhet të bëhen hapa finalizues drejt heqjes së tyre.

Më tej, në lidhje me rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, u sqarua dhe nga emisari Lajçak që anёtarёsimi i Kosovёs nё kёtё organizatё nuk ndёrlidhet me procesin e dialogut, dhe se ato janë dy procese të ndara.

Mbi Rregulloren e BQK-së, zëvendëskryeministri Bislimi sqaroi se kjo nuk është pjesë e procesit të dialogut, dhe e njëjta nuk është subjekt i negociatave mes palëve. Poashtu, e siguroi z. Lajçak qё Qeveria ёshtё e interesuar tё sigurojё vazhdimёsinё e mbёshtetjes financiare tё Serbisё për serbët e Kosovës nё fushёn e edukimit, shёndetёsisё dhe mbrojtjes sociale.

Përgjatë takimit, u ngritën dhe çështje të tjera të lidhura me procesin e dialogut si mbarëvajtja e zbatimit të marrëveshjes së energjisë me theks tek qasja jobashkёpunuese rreth mirёmbajtjes sё linjave tё interkoneksionit; ajo për targat, dhe telekomunikacioni. Mbi këtë të fundit, u adresua shqetësimi për shkeljet e vazhdueshme të Serbisë dhe ndërhyrjet në frekuencat brenda territorit tё Republikёs sё Kosovёs, shqetёsime kёto tё ngritura si nga ARKEP ashtu edhe nga KPM.

Zëvendëskryeministri Bislimi adresoi dhe çështjen e pasaportave ilegale KU, e mbi të cilën nënvizoi se ky propozim vijon të jetë i padrejtë dhe se i njëjti e dëmton dhe procesin e dialogut.

Në përfundim, ai e njoftoi emisarin dhe me hapat të cilat po i ndërmerr Qeveria, si mbështetja me dy mijë vende pune në katër komunat veriore, si dhe përmendi raportin më të fundit të UNDP-së i cili konstatoi rritje në ndjenjën e sigurisë tek serbët e Kosovës, nga 15.3% dhe 33.8% sa ishte në dy vitet e kaluara, në 37.6%.

Related Articles