Bislimi: Shtetet e Quintit po zhvillojnë takime me shtetet mosnjohëse, presim rezultate

Bislimi: Shtetet e Quintit po zhvillojnë takime me shtetet mosnjohëse, presim rezultate

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se shtetet e Quintit po zhvillojnë takime me vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Bislimi tha se ky angazhim nisi pas marrëveshjes së arritur në Ohër ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Pas datës 18 mars, vendet mike të Kosovës apo vendet e Quintit kanë mbajtur takime dhe vazhdojnë të mbajnë takime me vendet mosnjohëse, jo vetëm në Bashkimin Europian, por edhe vendet tjera mosnjohës. Por në ç’masë mund të përkthehet kjo në njohje finale, kjo mbretet të shihet”, tha Bislimi. “Janë dinamikat e brendshme të secilit shtet dhe mendoj që ne nuk e kemi potencialin apo kapacitetin”, shtoi ai.

Bislimi tha në Komisionin për Punë të Jashtme se me marrëveshjen e arritur në Ohër, BE-ja ka marrë obligime edhe ndaj rrugës së Kosovës drejt integrimeve europiane.

“Ajo që është me rëndësi, është që Bashkimi Europian ka marrë obligime në rrugëtimin tonë drejt integrimeve europiane dhe në rast se integrimet europiane pengohen nga këto shtete, i bie që Bashkimi Europian nuk ka arritur t’i përmbushë obligimet e veta që dalin nga marrëveshja”, tha ai.

Në marrëveshjen e arritur në Ohër, ndër tjerash thuhet se Kosova dhe Serbia nuk do ta pengojnë njëra-tjetrën në rrugën drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Related Articles