Në mbledhjen e parë të Këshillit Ministror për Integrim Europian të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti, ka kërkuar nga ministrat që standardet që BE-ja ndaj Kosovës kërkojnë të jenë pjesë e agjendës shtetërore dhe që të punohet pa dështime dhe vonesa në arritjen e këtyre objektivave.
Koordinimi i këtij procesi është i vendosur në përgjegjësinë e zëvendëskryeministrit të parë, Besnik Bislimi.
Prandaj, në këtë mbledhje ai ka shpalosur prioritetet që i kanë vendosur në arritjen e qëllimeve.
“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit tregon hapat që duhet ndërmarrë ana kosovare drejt përpjekjeve të saj për të forcuar ekonominë, drejt përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së, forcimin e rendit demokratik, sundimin e ligjit. Këto obligime duhet të konkretizohen në agjenda të reformave. Tri shtyllat në të cilat bazohet agjenda e reformave evropiane janë të njëjta që ka pasë Qeveria Kurti 2 dhe të pasqyruara në programin qeverisës”, tha Bislimi
Shkurtimisht, Bislimi ka renditur planin e tij të punës:
Shtylla e parë; është për sundimin e ligjit apo qeverisjen e lirë dhe brenda kësaj shtylle janë katër prioritete: 1. Luftimi i krimit dhe korrupsionit; 2. Reforma e administratës publike; 3. Mbrojtja e lirive themelore të qytetarëve; 4. Avancimi i demokratizimit dhe reformat e nevojshme në procesin zgjedhor.
Shtylla e dytë; është ekonomia dhe punësimi. Brenda saj janë gjashtë prioritete: 1. Forcimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme; 2. Rritja e ekonomistë jetë në harmoni me detyrimet tona në rritjen e efiçiencës të energjisë; 3. Mbrojtja e ambientit; 4. Sektori publik në mundësimin për ambient konkurrues që buxheti i shtetit të jetë mbështetës dhe jo pengesë në rritjen e kapacitetit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme; 5. Forcimi i mekanizmave që garantojnë implementimin e një konkurrence të drejtë në ekonomi; 6. Luftimi i informalitetit, rritja e kontingjentit të fuqisë punëtore që operon brenda sistemit formal të ekonomisë.
Shtylla e tretë; është ringjallja ekonomike nga pandemia COVID-19. Kjo shtyllë brenda ka pesë prioritete: 1. Rimëkëmbja ekonomike dhe sociale nga COVID-19; 2. Rritja e punësimit; 3. Përmirësimi i shëndetit të qytetarëve dhe siguria në punë; 4. Mospërputhja mes nevojave të tregut dhe shkathtësive që prodhon sistemi ynë edukativ; 5. Avancimi i shërbimeve shëndetësore.
“Këto janë 15 prioritetet që listohen brenda tri shtyllave që pastaj përkthehen në pothuajse 200 veprime konkrete dhe për secilin prej këtyre veprimeve ka afate kohore për përmbushjen e tyre”, shtoi ai.