Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, duke komentuar reagimet e Serbisë dhe të Listës Srpska pas sulmit të mbrëmshëm ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, të cilët pretenduan se s’kanë lidhje me sulmit, ka zbuluar emrin e një serbi që thotë se është dora e djathtë e Milan Radoiçiqit dhe se është i dyshuari për kryesor për sulmin me granatë dore në stacionin e policisë në Zveçan më 26 nëntor 2024.
Për këtë sulm dhe tjetrin që ndodhi më 28 nëntor në ndërtesën e komunës së Zveçanit i paraprinë sulmit të mbrëmshëm në Ibër-Lepenc.
“Dora e djathtë e tij [Radoiçiqit], Nemanja Radivojeviq – Gandi, është i dyshuari për sulmin me granatë dore në stacionin e policisë në Zveçan më 26 nëntor 2024, e që bashkë me sulmin në ndërtesën e komunës atje më 28 nëntor 2024, i paraprinë sulmit terrorist e kriminal ndaj infrastrukturës kritike që na mundëson ftohjen e termoelektranave që prodhojnë energjinë elektrike dhe furnizimin me ujë të disa komunave të Kosovës përfshirë një pjesë të kryeqytetit, Prishtinës”, ka shkruar Bislimi.
Ndërkaq, për reagimet e zyrtarëve serbë në Beograd dhe reagimin e Listës Srpska, Bislimi tha se të njëjtin distancim e bënë edhe kur ndodhi sulmi terrorist në Banjskë, por se në anën tjetër e mbështesin dhe financojnë Milan Radoiçiqin, për të cilin tha se organizon sulme mbi Kosovën nga ana tjetër e kufirit.
“Me një komunikatë të gjatë Lista Serbe u nxitua mbrëmë që të distancohet nga sulmi terrorist i eksplodimit në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut, kur pakçka dihej. Ministri i jashtëm serb, Marko Gjuriq, u distancua vetëm që të mund ta sulmojë Kryeministrin Albin Kurti. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sot tha që nuk deshi të nxitohej në distancim të hershëm. Ndërkohë, kështu kanë thënë edhe për sulmin në Banjskë të Zveçanit kur e vranë rreshterin e policisë sonë, Afrim Bunjakun. Janë distancuar por ende e mbështesin dhe financojnë Millan Radoiçiqin i cili qarkullon nëpër Serbi dhe planifikon e organizon sulme mbi Kosovën nga ana tjetër e kufirit”.