Gjilani, Ballkani, Drita, Llapi, kjo ishte radhitja vjeshtore e top ekipeve pretendente për titull në edicionin 2021/2022. Edhe pse ka filluar zyrtarisht më 1 janar, afati kalimtar i futbollistëve në BKT Superligën e Kosovës po kalon pa shumë zhurmë, pothuajse në heshtje të plotë. Shumë pak lëvizje të lojtarëve janë vërejtur deri në këtë faze. Interesimi i ekipeve është shumë i vogël për transferime të mëdha, shkruan Gazeta Enigma.
Sipas trajnerit të “SC Gjilani”, Ismet Munishi, momenti është që lojtarë kualitativ nuk ka të lirë në treg dhe se aty është problemi, pasi të gjithë lojtarët e mirë janë me kontrata nëpër klube.
“Mbetet një mundësi që të kërkohen transferime eventualisht nga jashtë ose ndonjë lojtar që mund të shkëpusë kontratën me klubin. Ne nuk kemi nevojë të marrim lojtarë me çdo kusht pasi e kemi skuadrën e mirë, por nëse ka ndonjë lojtar për të cilin ne besojmë që është kualitativ dhe që e njohim mirë mund ta marrim e të përforcohemi në çdo repart. Pra me angazhim eventual të ndonjë lojtari të ri ne duam vetëm të rrisim kualitetin dhe konkurrencën në skuadër, por jo ngase kemi dikund boshllëk dhe duhet patjetër të përmirësohemi”, tha Munishi për Gazetën “Enigma”.
Edhe për trajnerin e “Llapit”, Tahir Batatina merkaton e janarit ka shumë pak lëvizje e ndryshime.
“Unë kam menduar në fillim të kampionatit ta bëjë ekipin dhe që atëherë kam bërë fond të mjaftueshëm të lojtarëve. Llapi i ka bërë paraprakisht disa lëvizje ku kemi marrë një sulmues, i cili do të na bashkohet shumë shpejt; pastaj kemi marrë dy-tre lojtarë të rinj, një nga Drita, një nga Gjilani dhe një tjetër nga Prishtina. Pra kemi bërë disa lëvizje me lojtarë të rinj që janë për të ardhmen”, tha Batatina duke njoftuar se skuadrës së tij pritet t’i bashkohen së paku edhe një mesfushor dhe një sulmues.
E drejtori Sportiv i “FC Drita”, Valon Zymberi, duke iu referuar afatit kalimtar dimëror, tha për Gazeta “Enigma”, se ekipi i tij potencialisht është e plotësuar me fond të mjaftueshëm lojtarësh.
“FC Drita e ka ekipin e kompletuar andaj nuk kemi ndonjë target të lojtarëve”, tha shkurt Zymberi.
Në lidhje me afatin kalimtar dimëror dhe pritshmëritë e përgjithshme në edicionin pranveror, kanë folur edhe analistë, trajnerë e opinionistë futbolli.
Ndërda, opinionisti Arben Zeqiri, në një deklaratë për Gazeta “Enigma”, vuri në dukje se ekipet mund të jenë të kënaqura me fondin e lojtarëve, por edhe të mos kenë opsione të lira në treg, sidomos me futbollistë kosovarë.
“Futbollistë kampionë dhe të dëshmuar si Kastriot Rexha e Mentor Zhdrella janë të lirë, dhe të shohim se cili ekip do të jetë fatlum t’i sjellë në radhët e veta. Ballkani u përforcua me supermbrojtësin Dellova dhe trajnerin Ilir Daja, por të shohim se si ky i fundit do të ambientohet me ekipin dhe ligën dhe faktorët tjerë rrethanorë në përgjithësi, që përbëjnë futbollin kosovar. Ka zëra se Drita do t’i marrë tre futbollistë nga Prishtina, Krasniqin, Kryeziun e Abazin”, tha ai.
Tutje ai theksoi se “Gjilani mendoj se ka nevojë të përforcohet për të siguruar minimalisht kualifikimin në garat evropiane dhe për të qenë më e sigurt në vazhdimësinë e rezultateve pozitive. Mendoj që i duhen 2 deri 3 përforcime cilësore e të verifikuara në mënyrë që si kundërshpërblim t’i gëzohen titullit të parë, aq shumë të dëshiruar, ndërsa fondi I madh I lojtarëve të Llapit dhe disa përforcime të disa skuadrave mendoj se do të bëjnë kampionati do të bëhet tejet konkurrues, ku asnjëra nga ekipet nuk do të guxonin të gabojnë “në hapa nëse duan t’I arrijnë objektivat ndërkombëtare”, shtoi ai.
Në anën tjetër, për trajnerin Arbnor Morina, afati kalimtar i janarit është shumë i vështirë, pasi pasi shumica e lojtarëve janë nën kontrata valide me klube. Ai potencoi se kampionati do të jetë tejet konkurrues deri në fund, si në luftë për titull ashtu edhe për mbijetesë.
“Klubet që kanë investuar shumë në futbollistë dhe në pagat e tyre, automatikisht kanë obligim të luftojnë për titull sepse investimet janë të vlerave të larta dhe kryesitë kërkojnë që të shpaguhet ai investim. Kjo vetvetiu u krijon presion edhe pse ka ekipe që po deklarohen se nuk kanë imperative të tillë, por e vërteta është ndryshe”, tha ai.
Tutje ai shtoi se “Mendoj që ekipet të cilat e menaxhojnë më mirë presionin dhe ritmin e shtuar të lojërave, si dhe do të kenë administrim më të mirë të kartonëve, do të jenë në përparësi. Besoj se kampionati do të jetë i luftuar deri në xhiron e fundit, dhe se ndeshjet e konkurrentëve për titull të luajtura mes veti do të qojnë peshë”, tha Morina.
Afati kalimtar i janarit edhe në Kosovë sikurse në pjesën më të madhe të kampionateve evropiane, ka filluar më 1 janar dhe zgjatë deri më 31 janar në mesnatë./Gazeta Enigma/