Partitë tash e sa muaj mbeten “pikë e pesë” me njëra tjetrën rreth zgjidhjes reale për konstitumin e Kuvendit të Kosovës. Deputetët nuk kanë lëvizuar nga qëndrimet e “betonuara” të tyre edhe pas aktgjykimit të Kushtetueses, e cila i ka obliguar të gjejnë zgjidhje brenda një afati prej 30 ditësh.
Kuvendi jofunksional i Kosovës, pa kryetar e pa anëtarë, po i kushton shtetit politikisht, por edhe financiarisht, shkruan Gazeta “Enigma”.
Marrëveshjet ndërkombëtare, projektligjet dhe buxhetet komunale po presin konstituimin e parlamentit për të ecur tutje.
Në mungesë të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare me Bankën Botërore, Kosova është duke rrezikuar humbjen e 230 milionë eurove.
Një pjesë e këtyre marrëveshjeve, në vlerë prej 130 milionë eurosh, Kuvendi i “zvarriti” gjatë vitit 2024 për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa afro 100 milionë euro janë marrëveshje të reja.
Për të paktën 90 milionë euro nga këto fonde, të cilat Kosova i merr me zero për qind kamatë nga Banka Botërore, ka alarmuar ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
Ai ka thënë se, nëse marrëveshja nuk ratifikohet deri në shtator, “ekziston rreziku shumë i lartë që këto mjete t’i merren Kosovës dhe t’i jepen një shteti tjetër”.
Edhe fondet e tjera mund të kenë të njëjtin fat.
Për Kosovën, që është nën masa nga Bashkimi Evropian, rrezikohen edhe fondet e paraanëtarësimit.
Nga BE-ja kanë thënë se do të punojë gradualisht për heqjen e masave vetëm pasi të krijohet një Qeveri legjitime – e cila ende nuk është formuar.
“Jemi duke bërë hapa prapa në konsolidimin e shtetësisë dhe institucioneve demokratike”
Për këtë situatë, ish-deputetja Shqipe Pantina tha për gazetën “Enigma” se paraliza në vendimmarrje nga Qeveria dhe Kuvendi e ka futur vendin në krizë të thellë funksionale.
“Boshllëku institucional i krijuar nga moskonstituimi i Kuvendit është thellësisht shqetësues. Paraliza në vendimmarrje, si pasojë e mungesës së një Kuvendi dhe Qeverie legjitime, ka lënë pezull miratimin e projektligjeve, marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxheteve komunale, duke e futur vendin në një krizë të thellë funksionale”, tha ajo.
Tutje, ajo tha se kjo bllokadë institucionale jo vetëm që ka pasoja financiare, por dëmton edhe rendin kushtetues dhe demokracinë në vend.
“Ajo që po ndodh në Kuvend është përtej absurdit. Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm që po e keqpërdor një të drejtë kushtetuese, por po e shndërron atë në një mjet për të bllokuar krijimin e institucioneve të reja, ndërkohë që në mënyrë joligjore vazhdon të mbajë pozitat qeveritare dhe të marrë vendime që nuk kanë legjitimitet demokratik. Kjo bllokadë institucionale nuk ka vetëm pasoja financiare – ajo godet në themel funksionimin e rendit kushtetues dhe demokracisë në vend”, shtoi Pantina.
Ish-deputetja theksoi se sa më shumë të zgjatet kjo situatë, aq më të mëdha do të jenë pasojat në funksionimin e shtetit.
“Jemi duke bërë hapa prapa në konsolidimin e shtetësisë dhe institucioneve demokratike, ndërsa dëmet në procesin e integrimit evropian po bëhen gjithnjë e më serioze. Sa më gjatë që vazhdon kjo situatë, aq më të mëdha do të jenë pasojat për funksionimin e shtetit, për besimin e qytetarëve në institucione dhe për të ardhmen evropiane të Kosovës”, përfundoi ajo.
Dështim i ri – Deklarime të vjetruara
Pas dështimit të konstituimit të Kuvendit në tentativën e 44-t të kësaj të mërkure, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se Kurti e ka ndarë mendjen për t’i bërë keq Kosovës.
“Ne jemi peng i VV-së dhe Kurtit. Ai nuk e ka shumicën politike, nuk dëshiron me e bë. Komisioni për votim të fshehtë u bë pa dakordim të Kuvendit, edhe presidentja tha. Kërkojmë me u kthye në kushtetutshmëri, jemi peng i tij. Ai e ka nda mendjen me bo keq për Kosovën”, tha Haradinaj.
“Nuk ka nevojë për mocion, këta munden vetëm me u tërheq”, u shpreh kreu i AAK-së.
Rreth kësaj, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se zgjidhja për këtë çështje është politike.
“Shpresoj se do të gjendet ajo zgjidhje. Besoj se pas konsumimit të interpretimeve të shumëllojta të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, njerëzit janë kthyer dhe e kanë parë se kjo çështje është ashtu siç ka qenë nga fillimi – zgjidhja është politike, përmes marrëveshjes”, shtoi ai.
“Në këtë fazë dhe në këtë moment, roli i presidentes është i kufizuar, përveç vullnetit të mirë dhe apelit të saj që në një tryezë politike të gjendet zgjidhja. Në këtë fazë po e kryen atë që duhet ta kryejë – konsultime”, tha Limaj. /Gazeta Enigma