Drejtuesja e ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raci, mbase mund të mbahet mend si shefe e urdhëresave.
Mbi 10 sosh për një kohë të shkurtër i ka lëshuar për klinikat dhe spitalet rajonale që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e punës.
Në të kaluarën ato janë quajtur qarkore informative.
Mirëpo, drejtoresha e ShSKUK-së thotë se janë keqkuptuar dhe nuk janë urdhëresa, përveç kërkimit të zbatimit të rregullave.
Zejnullahu-Raci theksoi se kur mori postin gjeti mungesë rendi e rregulli, teksa gjendjen nëpër klinika dhe spitale e quajti kaos total sa i përket rrjedhës së pacientëve, palëve dhe kujdesit gjatë natës, për të cilën thotë se nuk është pajtuar edhe kur ka qenë mjeke, por edhe tash.
Megjithëkëtë organi më i lartë i këtij institucioni, bordi që edhe e ka emëruar Zejnullahu-Racin, e mohon kaosin.
“Bordi Drejtues i ShSKUK-së mund të konfirmojë që disa nga këto urdhëresa në formë të qarkoreve informative, konform legjislacionit në fuqi, u janë dërguar edhe më herët drejtorëve të njësive të ShSKUK-së dhe QKUK-së për mbarëvajtjen e rregullt të punës. Konsiderojmë që situata nuk është kaotike, ashtu siç është cekur dhe se ka përmirësime të dukshme në ShSKUK”, thonë nga ky bord.
Pavarësisht kësaj, këta të fundit deklarojnë se e mbështesin drejtoreshën.
E kjo e fundit bën me dije se zbatimi i këtyre rregullave po kërkohet konform përshkrimit të detyrave që i kanë në kontratat e punës punonjësit shëndetësor.