Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e radhës ku diskutoi dhe mori vendime të rëndësishme në përputhje me mandatin e vet ligjor.
Gjatë kësaj mbledhje, Bordi shqyrtoi dhe e miratoi Planin e Punës së Njësisë së Brendshme të Auditimit për vitin e ardhshëm 2022. Bordi diskutoi edhe në lidhje me tenderin publik që ka zhvilluar Agjencia për qiradhënie të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore dhe për shkak të interesimit të ulët të ofertuesve dhe ofertave të pakta të dorëzuara vendosi që të bëhet shpallje e re publike.
Bordi aprovoi qiradhënie për asetet e ndërmarrjes “Jatex” që shfrytëzohen nga “Ventius International” dhe për asetet që shfrytëzohen nga “Modatex”, kurse për shfrytëzimin e objektit të ndërmarrjes shoqërore “Auto-Prishtina”, vendosi që qiramarrësit “Policia e Kosovës” t’i bëhet ulje e çmimit të qirasë.
Gjatë kësaj mbledhje Bordi shqyrtoi edhe kontratën me kompaninë “Ferronikeli” për shfrytëzimin e pronës së MIM Goleshit dhe e aprovoi vazhdimin e kontratës me këtë qiramarrës, duke theksuar obligimin që ka i njëjti për kthimin e pronës në gjendjen e mëparshme në kohën e përfundimit të kontratës.
Bordi aprovoi edhe propozimin për transferimin e kontratës së qirasë për pompën e benzinës te rrethi në Prishtinë për asetin e NSh “Jugopetroll”, me kushtin që të kryhen obligimet e mbetura për mospagesë të qirasë.
Në këtë takim Bordi i Drejtorëve diskutoi strategjinë për përmbylljen e proceseve kryesore të AKP-së dhe mori vendim që ky dokument të finalizohet në takimin e radhës. Ndërsa për ndërmarrjen “XIM Strezovci”, e cila është në likuidim, Bordi vendosi për rritje të buxhetit.
Bordi shqyrtoi dhe e miratoi propozimin për vendosjen në procedurë të likuidimit NSh-të: “Jugoshped”, Mitrovicë e Jugut dhe “CIK Kumanova”, Prishtinë. Poashtu u shqyrtuan dhe u miratuan Raportet e Shpërndarjes për kreditorët e NSH-ve në likuidim: “17 Nëntori” Pejë në shumën prej 213 mijë euro; “Kosovatex” Prishtinë në shumën prej 215 mijë euro; “Fabrika e Birrës” Pejë në shumën 2 milionë e 245 mijë euro; “Metal Holding” Lipjan 55 mijë euro dhe “Përparimi” Mitrovicë me shumë 3.428 euro. Shuma totale e mjeteve të miratuara për shpërndarje është rreth 2 milionë e 732 mijë./Gazeta “Enigma”/