Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, tha të enjten se do të ulet “së bashku” me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të biseduar gjatë samitit të BE-së në Granada të Spanjës.
I pyetur nëse ka takim të caktuar mes Osmanit dhe Vuçiqit, Borrel tha se “takimet bëhen për t’i ulur tensionet. Presidentja Osmani do të jetë këtu dhe po ashtu presidenti Vuçiq. Në Kishinjev, ne u ulëm së bashku, biseduam për këtë, dhe sot do ta bëjmë të njëjtën gjë. Por, gjendja është shumë më e keqe sot sesa në kohën e Kishinjevës”.
Më herët gjatë ditës, Osmani tha se nuk ka arsye për ta takuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq para se ndaj tij të vendosen sanksione për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
Më 24 shtator, Policia e Kosovës është sulmuar në Banjskë të Zveçanit nga një grup i armatosur, dhe është vrarë një zyrtar policor.
Osmani ka folur të enjten pak para nisjes së një mbledhjeje në Granadë të Spanjës, në kuadër të Komunitetit Politik Evropian.
“Nuk ka arsye të takohemi para se të vendosen sanksione drejt Vuçiqit. Sanksione në fillim, e më pas mund të flasim për më shumë”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se shpreson që edhe Spanja – e cila nuk e njeh shtetësinë e Kosovës – të bashkohet në sanksione kundër Serbisë.
Një një takim të mbajtur më 3 tetor në Parlamentin Evropian, disa eurodeputetë kanë kërkuar vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë për shkak të sulmit në Banjskë.