Kanceri i gjirit – Me anë të këtyre metodave mund ta zbuloni dhe ta shpëtoni jetën tuaj

Kanceri i gjirit – Me anë të këtyre metodave mund ta zbuloni dhe ta shpëtoni jetën tuaj

Kanceri i gjirit është një tumor që zhvillohet nga qelizat e vetë gjirit, shkruan Gazeta “Enigma”.

Kanceri i gjirit është rritja jashtë kontrollit dhe përhapja e qelizave jo normale të indit të gjirit. Këto qeliza grumbullohen dhe formojnë një tumor, i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indin normal të gjirit. Pa mjekim, këto qeliza përhapen në pjesët fqinje, e më pas, në të gjithë trupin.

Muaji i tetorit është muaji i ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit, muaji  i vetëdijesimit i cili ka pwr qwllim rritjen e vëmendjes dhe mbështetjes, për zbulimin e hershëm, si dhe kujdesin për këtë sëmundje.

Në lidhje me këtë Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me Doktoreshën Ramize Ahmeti-Ibrahimi, Specialiste e Mjekësisë Familjare, e cila ka treguar në detaje simptomat dhe ecurinë e gjithë procesit pas lajmërimit të kancerit të gjirit.

“Shumica e simptomave të çrregullimeve të gjoksit, duke përfshirë shumicën e gungave, nuk paraqesin domosdoshmërisht kancer gjiri”, ka theksuar Ahmeti- Ibrahimi.

Çka është kanceri i gjirit?

“Kanceri i gjirit është një sëmundje e cila karakterizohet me rritje anormale dhe të pakontrolluar të qelizave të tij. Kanceri i gjirit është një sëmundje që ju merr miliona grave jetën anë e mbanë botës pa dallime”, tha Ahmeti-Ibrahimi për “Enigmën”.

Tutje ajo ka shtuar se shfaqja e një simptome të re duhet marrë seriozisht në konsideratë nga të dyja palët si pacientët ashtu edhe nga personeli shëndetësor, për mundësinë e një kanceri gjiri, që mund të shfaqet në pothuajse çdo moshë.

Çka është ekzaminimi i kancerit të gjirit?

“Një ekzaminim klinik i gjirit është një ekzaminim fizik i gjinjve nga personeli mjekësor i trajnuar”, ka theksuar ajo.

“Nëse ju jeni 40-49 vjeç duhet të kryeni një ekzaminim klinik të gjinjve nga personeli mjekësor i trajnuar, së paku çdo 2 vjet. Flisni me mjekun tuaj rreth rrezikut tuaj të kancerit të gjirit, përfitimet dhe rreziqet nga mamografia”, tha Ahmeti-Ibrahimi.

Tutje ajo ka dhënë detaje edhe për grup moshën 50-69 vjeç.

“Nëse ju jeni 50-69 vjeç duhet të kryeni një ekzaminim klinik të gjinjve nga personeli mjekësor i trajnuar, së paku çdo 2 vjet”.

Sipas doktoreshës Ramize “nëse ju jeni mbi 70 vjeç duhet të flisni me mjekun se sa shpesh duhet të testoheni për kancer gjiri”.

Cila është incidenca e kancerit të gjirit?

“Gjatë jetës së tyre, 1/8 femrave do të diagnostikohet me kancer të gjirit”, ka theksuar ajo.

“Nëse merren 1000 gra të grupit të rrezikuar dhe bëhen kontrolle ose vizita të rregullta, në këtë grup mundet të zbulohen 24 raste me kancer të gjirit, ndërsa në 1000 gra të grupit jo të rrezikuar, zbulohen 7-8 kancer të gjirit”, tha Ahmeti-Ibrahimi për “Enigmën”.

Etiologjia e kancerit të girit

“Shkaqet e paraqitjes së sëmundjes deri më tani janë të panjohura. Ekzistojnë 3 hipoteza të paraqitjes së sëmundjes: Virale, gjenetike dhe endokrine”, tha ajo.

Tutje doktoresha ka shtuar se faktorët e rrezikut janë mosha mbi 50 vjeç dhe gjinia femërore.

“Faktori gjenetik dhe anamneza familjare pozitive për kancer të gjirit, menstruacionet e hershme dhe menopauza e vonshme, kontraceptivët oral, karakteristikat fizike ( obeziteti ), konsumimi i alkoolit, rrezatimi, gratë – femrat e operuara nga kanceri i gjirit ose i ndonjë organi tjetër, gratë – femrat që nuk kanë lindur, ato të cilat lindjen e parë e kanë pasur pas moshës 30 vjeçare, gratë të cilat nuk i kanë dhënë gji fëmijëve, gratë – femrat të cilat kanë pasur ndonjë sëmundje të gjirit qofshin edhe ato benjinje qofshin edhe ato sëmundjeve fibrocistike, ushqimi i pasur me yndyrëra, dhe gratë me peshë të shtuar (majme), dhe sipas disa studimeve edhe abortet e shpeshta rrisin rrezikun e paraqitjes së kësaj sëmundjeje”, ka deklaruar doktoresha për “Enigmën”.

Tutje ajo ka theksuar se ndalimi i kësaj sëmundje është vetë ekzaminimi i gjinjve, ekzaminimi klinik i gjinjve dhe mamografia.

Vet ekzaminimi i gjirit – shkalla e parë

“Filloni duke i shikuar gjinjtë tuaj në pasqyrë, me shpatullat drejt dhe me duart në ije, ju duhet të shikoni për madhësinë , formën dhe ngjyrën e gjinjve. Nëse vëreni ndonjë ndryshim paraqituni te mjeku i juaj, mufatja ose tërheqja brenda e lëkurës apo edhe e thimthit duhet të paraqiten te mjeku”, ka njoftuar Ahmeti-Ibrahimi.

Vet ekzaminimi i gjirit – shkalla e 2 dhe e 3

“Ngritja lart e krahëve dhe shikimi për ndonjë ndryshim eventual. Gjatë shikimit në pasqyrë shiko edhe thimthin, fute në mes të gishtërinjve dhe shtrydhe pak. Shiko për rrjedhje të ndonjë sekreti eventual”, ka deklaruar ajo për “Enigmën”.

Vet ekzaminimi i gjirit  – hapi i 4

“Ekzamino gjinjtë në pozitën e shtrirë. Me dorën e djathtë ekzamino gjirin e majtë dhe me të majtën gjirin e djathtë. Ekzaminimi bëhet me mollëzat e gishtërinjve të parë, duke bërë lëvizje rrethore. Në ekzaminim të përfshihet e tërë sipërfaqja nga pjesa e sipërme e abdomenit deri te klavikula lart. Nga sternumi brenda, e jashtë deri edhe në nënsqetull”, ka theksuar doktoresha Ramize Ahmeti-Ibrahimi.

Vet ekzaminimi i gjirit – hapi i 5

“Së fundi gjinjtë kontrollohen në pozitë në këmbë ose ulur. Kjo është pozita më e preferuara nga gratë. Përdoren lëvizjet e njëjta si në hapin e 4. Ekzaminimi është më i lehtë kur lëkura është e lagur, për shembull gjatë larjes në dush”, ka deklaruar ajo.

Mamografia

“Metoda më e ndjeshme dhe specifike për ta zbuluar kancerin e gjirit. Në mamografi shikohet për densitetin radio-opak, mikrokalcifikimet dhe çrregulimmet arkitektonike normale të gjirit (asimetria parenhimale)”.

Sipas doktoreshës këto janë procedurat e mamografisë, gjiri vendoset dhe fiksohet në mes të pllakave metalike, ose plastike dhe me imazh prodhohet filmi radiografik, filmimi më pas lexohet nga radiologu për ndonjë anomali. Mamografitë aktuale shkaktojnë rrezatime shumë të vogla për pacienten, nëse me palpim është identifikuar ndonjë mase eventuale, me mamografi caktohet lokalizimi i saktë i saj dhe definimi i saj”.

Si mund të parandaloni kancerin e gjirit?

“Përpiquni të minimizoni stresin, bëni një jetesë të shëndetshme, bini në peshë, nëse jeni mbipeshë, mos harroni se lindja e fëmijës dhe ushqimi me gji janë shumë të rëndësishme për shëndetin e gjirit tuaj, mundohuni të keni një aktivitet të rregullt seksual, ushqehuni duke ndjekur një diete të caktuar”.

“Hani ushqime që janë të pasura me vitaminë A, E dhe C, p.sh., karota, spinaq, kajsi dhe agrume. Është mirë që ato t‘i bëni pjesë të pandashme të dietës suaj ditore”, tha Ahmeti-Ibrahimi.

Kontrollohu, shpëto jetën tënde

Kur kanceri i gjirit zbulohet herët, dhe nëse diagnoza dhe trajtimi adekuat janë në dispozicion, ekziston mundësia ky kancer të shërohet.

OBSH ka shpallur muajin Tetor, si muajin për luftimin e kancerit të gjirit. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles