Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borell, ka deklaruar se propozimi për Kosovën e Serbinë që është në diskutim e sipër tash e një kohë nuk është i Francës e as i Gjermanisë.
Madje, ai tha se propozimi i cili sipas tij i ka veç dy faqe është bërë nga ai dhe emisari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.
Në anën tjetër, diplomati spanjoll theksoi se plani nuk është refuzuar nga Kosova apo Serbia.
“Propozimi i ashtuquajtur propozim franko -gjerman në fakt është mbështetje franko gjermane, por propozimi është bërë nga unë dhe Miroslav Lajcak. Është propozim , le të themi evropian. Qëllimi është që të dalim nga faza e menaxhimit të krizës. Në 2-3 vitet e fundit kam qenë në mënyrë permanente në menaxhim të krizës, nga një krizë në tjetrën, duke zgjidhur krizën e djeshme dhe duke pritur krizën e së nesërmes, qoftë targat qoftë apo çkado…” ka shtuar ai.
Mes tjerash, ai tha se duhet ta shohim një qasje më të strukturuar, duke parë çështjet më të thella dhe duke tentuar t’i parandalojmë krizat.
“Dhe më duhet ta them se të dy palët, nuk do të thoja se janë pajtuar, por nuk e kanë refuzuar propozimin, që do të thotë shumë. Duhet ta zgjidhim këtë problem javën e ardhshme para javës së ardhshme, kriza duhet të evitohet, shpresa ime është se kemi arritur ta parandalojmë përplasjen e madhe, tash që nuk ka polici, gjyqësor… ia dolëm ta tejkalojmë këtë moment të rrezikshëm”, shtoi ai.