Banka Qendrore e Kosovës është deklaruar pas takimit në Bruksel, raporton Gazeta “Enigma”.
BQK ka dhënë detaje pas takimit që e pati delegacioni i lartë i këtij institucioni me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në Bruksel, dhe me ekipin e Serbisë.
Sipas tyre në këtë takim delegacioni i tyre ka informuar dhe paraqitur argumentet lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme.
“Autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithatë janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb. Ndaj edhe është vlerësuar e nevojshme pjesëmarrja për të dhënë sqarime të duhura lidhur me këto shqetësime si dhe argumentuar praktikisht mundësitë ligjore dhe teknike ekzistuese të transferimit të mjeteve financiare”, thuhet në njoftim.
“Delegacioni i BQK-së pas këtij takimi, me sugjerimin dhe nën organizimin e BE-së takoi edhe delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë, ku brenda mandatit të saj paraqiti dhe diskutoi opsionet e paraqitura nga BQK-ja dhe u argumentua mundësia dhe lehtësia e realizimit të tyre në praktikë nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese, pa asnjë ndryshim të kornizës ligjore në fuqi”.