Javën e ardhshme, më 24 tetor, në Bruksel pritet të zhvillohet një raund i ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh.
Burime diplomatike nga BE-ja i kanë konfirmuar këto zhvillime për Radion Evropa e Lirë, por pa dhënë detaje të mëtejshme për formatin e takimeve. Zyrtarët e BE-së përdorin termin “takime” pasi nuk është e qartë nëse do të ketë një takim trepalësh, që përfshin përfaqësuesit e dy palëve dhe ndërmjetësin e BE-së, shkruan REL transmeton Gazeta Enigma.
Deri tani, kryesisht janë zhvilluar takime dypalëshe mes të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, ndërsa takimet trepalëshe janë më të rralla. Takimi i fundit trepalësh u mbajt më 2 korrik 2024, por përfundoi me përplasje dhe akuza të ndërsjella për mungesë vullneti për dialog.
Kohët e fundit, Lajçak ka zhvilluar konsultime me palët, por BE-ja nuk ka zbuluar temat konkrete që do të trajtohen në takimet e ardhshme. Në BE dhe NATO po rritet pakënaqësia për rrjedhën e dialogut, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke shprehur shqetësim për mungesën e rezultateve të pritshme.
Miroslav Lajçak e ka mandatin në këtë rol deri në janar 2025. Ndërkohë, BE-ja pret të shohë se çfarë qasje do të ndjekë përfaqësuesja e re e lartë për politikë të jashtme, Kaja Kallas, kur ajo të marrë detyrën pas konfirmimit të Komisionit të ri Evropian.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur pritshmëri për një qasje më dinamike nga Komisioni Evropian në vijim të dialogut./GazetaEnigma/