Ish-kryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi në një intervistë për gazetarin Mero Baze ka folur edhe për propozimin franko-gjerman lidhur me marrëveshjen Kosovë-Serbi.
Bukoshi tha se Qeveria e Kosovës duhet të tregojë gjithçka se çfarë është në favor e çfarë jo.
Sipas tij, ata që janë në krye të qeverisë po sillen sikur kanë lindur që të jenë fitues.
“Jo nuk jam në dijeni, por arrij ta marr me mend se është një nga ato përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të krijuar klimë besimi tek firmosja e një marrëveshjeje përfundimtare. Ajo që duhet të bëjë qeveria e Kosovës, është të zhvishet nga demagogjia populiste dhe të jetë transparente me publikun duke thënë se çfarë ka në favor dhe çfarë nuk ka në favor Kosova në këtë moment, pra siç thuhet “ku është qari dhe ku zarari”… Ata që tani për tani janë në krye të punëve nuk duhet të sillen si njerëz që kanë lindur vetëm të fitojnë. Duhet të sillen si njerëz që po luftojnë dhe kur lufton edhe mund të pësosh diçka. Mund ta humbësh ndonjë betejë, por s’bën ta humbësh luftën”, tha ai.
Tutje, Bukoshi e analizoi edhe sjelljen e Serbisë lidhur me zhvillimet e fundit duke thënë se anipse po ulërin tani, nuk është se i ka kaq keq punët nga ajo marrëveshje.
“Shikoni Serbinë nga ana tjetër. Ka sjellje krejt të kundërt. Ulërin dhe klith sikur ta rrahësh qenin, në stilin “ooo, mbaruam”, se gjoja po e shkatërrojnë me marrëveshjen e ofruar, a në fakt nuk i ka aq keq punët nga ajo marrëveshje. Por në finale e menaxhon reagimin dhe i adaptohet marrëveshjes.
Një fshatar i moshuar i imi, pa asnjë fakultet, as master të kryer, më thoshte: biri im mos i beso shkijeve se shkau edhe kur të fut përfundi dhe të prish dajak, bërtet dhe thërret “më ndihmoni se më mbyti shiptari”. Politikanët tanë dhe pushtetarët sillen sikur kanë lindur të fitojnë jo vetëm mbi Serbinë, por dhe mbi Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Se e zgjata pak përgjigjen time…”, tha ai.