Që nga 18 maji 2021, Shërbimi Korrektues i Kosovës është ende pa Drejtor.
Vendimi për shkarkimin e Nehat Thaçit ishte marrë nga Këshillit Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë.
Kurse lajmi për shkarkimin e tij ishte bërë publik nga vetë zv/ministri, Blerim Sallahu.
“Ditëve në vijim presim ftesat nga Këshilli për prezantimin e fakteve tona që e mbështesin kërkesën tonë për shkarkimin e z.Thaçi nga pozita e Drejtorit të Përgjithshëm të SHKK-së”, pati deklaruar ai.
Pavarësisht se kjo pozitë tani drejtohet nga zv/drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, në këtë dikaster nuk ka ende Drejtor të Përgjithshëm, ani pse kanë kaluar shumë muaj nga largimi i Nehat Thaçit.
Lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar Ministrinë e Drejtësisë, të cilët kanë deklaruar se ende nuk ka diçka të saktësuar sa i përket kësaj çështje.
Sipas MD-së drejtimi i Shërbimit Korrektues do të mbetet kështu deri në përfundimin e procedurës së konkursit të shpallur.
“Sipas legjislacionit në fuqi, aktualisht në krye të Shërbimit Korrektues është zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i SHKK-së dhe do të mbetet kështu deri në përfundimin e procedurës së konkursit të shpallur për Drejtor të Përgjithshëm të SHKK-së, poashtu sipas dispozitave ligjore në fuqi”, u tha në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.
Pavarësisht kësaj as tani, por as më parë nuk janë dhënë detaje lidhur me konkursin për Drejtor të Shërbimit Korrektues.
E nga kjo ministri kanë theksuar se me këtë çështje po merret Ministria e Punëve të Brendshme.
“Ju njoftojmë se MPB është kompetente për zhvillimin e procedurave për emërime të larta, në këtë rast edhe për pozitën e drejtorit të SHKK-së”, u tha nga MD.
Ndryshe në kuadër të Shërbimit Korrektues të Kosovës së fundi pati një zhvillim, saktësisht në Qendrën Korrektuese në Lipjan.
Në këtë qendër korrektuese ishin vendosur kamera të sigurisë, në pavijonet ku vuajnë dënimin gratë.
E lidhur me këtë janë suspenduar dy zyrtarë të lartë.
Ky vendim për vendosjen e kamerave të sigurisë është vlerësuar edhe si shkelje e të drejtave të njeriut.
Ali Gashi, ushtrues i detyrës së drejtorit të ShKK-së pati deklaruar se vendosja e kamerave është bërë me qëllim që të ruhet jeta e grave me probleme mendore. Por, vendosja e kamerave në burgun e grave në Lipjan u ka kushtuar me suspendim Fatlinda Mustafës, ushtruese e detyrës së drejtoreshës në Qendrën Korrektuese për gra në Lipjan dhe Ilir Kelmendit, drejtor për Siguri në Shërbimin Korrektues (ShKK).
Sipas Ali Gashit, dy zyrtarët janë suspenduar pasi për vendosjen e kamerave nuk e kanë njoftuar udhëheqësin e SHKK-së, pra vetë Gashin.