“Jemi afër 300 punëtorë të kompanisë ‘Tregu’ që këtë muaj nuk kemi marrë paga”, tha një punëtore në mënyrë anonime për Gazetën “Enigma”.
Tutje ajo ka njoftuar se “punëtorët e kësaj kompanie punojnë nëpër shkolla, në bibliotekën e qytetit dhe te salla e sportit”.
Në lidhje me këtë çështje, Gazeta “Enigma” ka kontaktuar Nexhat Hysenin, kryetari i sindikatës së punëtorëve të ‘Tregut’, i cili ka konfirmuar deklaratën e punëtores që këtë muaj nuk kanë marrë pagat e tyre, duke shtuar se probleme me vonesa në pagesa kjo kompani ka tani e disa muaj.
“Në 7 – 8 muajt e fundit kemi pasur vonesa në pagesa për shkak se nuk është miratuar buxheti. Unë edhe dje, edhe sot kam kontaktuar me kryetarin e komunës, ai ka kërkuar mjete në Prishtinë me i’a lëshu Prishtina me kod buxhetor të veçantë, por ende nuk kemi marrë përgjigje konkrete”, tha Hyseni për “Enigmën”.
286 punëtorë pa paga
“Këtë muaj nuk kanë marrë paga 286 punëtorë. Dihet situata si është, unë as nuk mundem me fajësu kryetarin, kur dihet që nga shtatori sa herë nuk është miratuar buxheti”, tha ai.
“Tregu ka marrëveshje me Komunën, kompania ‘Tregu’ është nën ombrellën e Komunës”, ka deklaruar Hyseni.
Kujtojmë se kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, një ditë më parë përmes një postimi në profilin e tij në Facebook kishte njoftuar se të gjithë nxënësit e shkollave të mesme do t’i dërgojë në ekskursion në Shqipëri falas.
Hyseni ka njoftuar se ka nënshkruar një kontratë në të mirë të maturantëve të Gjilanit ditën e sotme, duke i shpërblyer maturantët, duke ua paguar shpenzimet e ekskursionit në Shqipëri.
”Lajm FANTASTIK! Kontrata u nënshkrua – Ekskursioni i maturës në Shqipëri, shpërblim i veçantë për çdo maturant të Gjilanit.” ka shkruar ai në Facebook.
Gazeta “Enigma” ka kontaktuar edhe Komunën e Gjilanit por të njëjtit kanë thënë se në lidhje me këtë çështje mund të drejtoheni te drejtuesit e kompanisë “Tregu”.
Ndërsa burime brenda Komunës bëjnë me dije se probleme me pagesa pritet të ketë edhe në muajt në vazhdim, duke pasur parasysh se aktualisht Komuna e Gjilanit nuk ka buxhet, por duke pasur parasysh edhe ngërçin e konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë, këto probleme do të na përcjellin gjatë. /Gazeta Enigma/