Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se në sistemin parlamentar të Kosovës votimi i hapur është rregulli, ndërkaq votimi i fshehtë është përjashtim.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që votimi i kryeparlamentarit të bëhet me vota të fshehta.
Ai ka thënë se kjo është “një tentativë për të turbulluar një çështje që është, në thelb, shumë e qartë: zgjedhja e Kryetarit është një akt përfaqësues, i rëndësishëm dhe publik”.
Postim i plotë i Cakollit në Facebook:
Së fundmi, disa po përpiqen të argumentojnë se zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit mund të bëhet edhe me votim të fshehtë – duke u thirrur në një prej pikave të aktgjykimit të Kushtetueses, të vitit 2014.
Megjithatë, kjo është një tentativë për të turbulluar një çështje që është, në thelb, shumë e qartë: zgjedhja e Kryetarit është një akt përfaqësues, i rëndësishëm dhe publik. Votimi për të duhet të jetë po ashtu i hapur, transparent dhe i përgjegjshëm.
Në sistemin tonë parlamentar, votimi i hapur është rregulli. Votimi i fshehtë është përjashtim – dhe përjashtimet vlejnë vetëm kur janë të përcaktuara qartazi në normë, si në rastin e zgjedhjes së Presidentit apo të emërimeve në borde dhe agjenci të pavarura. Votimi i fshehtë nuk mund të aplikohet thjesht pse “është më i lehtë” për dikë që nuk i siguron dot votat ndryshe.
Në rastin tonë konkret, asnjë nen i Rregullores së Punës nuk parashikon që Kryetari i Kuvendit mund të zgjidhet me votim të fshehtë. Dhe kjo është thelbësore: nëse do të ishte paraparë një mënyrë e tillë, ajo jo vetëm që do të ishte e përshkruar qartë, por do të duhej të ishte gjithashtu e vetmja mënyrë votimi – e aplikuar që në fillim të procesit.
Çdo përpjekje për të ndryshuar mënyrën e votimit gjatë rrjedhës së procedurës përbën shkelje të sigurisë juridike. Në një rend demokratik, rregullat nuk ndërrohen rrugës. Deputetët, partitë – dhe mbi të gjitha qytetarët – duhet ta dinë që në fillim se si merret një vendim. Një proces që nuk është i parashikueshëm, nuk mund të quhet i drejtë.
Vendosja e një precedenti të tillë do të ishte e rrezikshme. Nëse sot mund të ndërrohet forma e votimit për Kryetarin e Kuvendit, nesër mund të ndodhë e njëjta për Qeverinë, apo për secilën çështje tjetër me peshë politike.
Parimisht, deputetët nuk janë zgjedhur për të fshehur votën e tyre. Ata janë aty për të përfaqësuar publikisht qytetarët që u kanë dhënë besimin. Nëse nuk kanë guximin të deklarojnë hapur për kë votojnë për Kryetar të Kuvendit, ndoshta nuk janë duke marrë një vendim për interes publik – por thjesht duke luajtur lojëra të brendshme partiake.