Një burrë 53-vjeçar është arrestuar pasi një veturë goditi dhjetëra kalimtarë në qendër të Liverpool-it, gjatë paradës së fitores në Premier League.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë veturën duke kaluar përmes turmës, ndërsa njerëzit shpërndaheshin në panik.
Rreth 50 të lënduar mbetën nën veturë dhe u nxorën nga shërbimet e emergjencës.
Si ndodhi?
Incidenti ndodhi pak pas orës 18:00 në Ëater Street, sipas Policisë së Merseyside. Në deklaratën zyrtare thuhet se vetura ndaloi në vendin e ngjarjes dhe një person është ndaluar nga policia.
Më vonë u konfirmua se i arrestuari është një burrë i bardhë, 53-vjeç, nga zona e Liverpool-it. Policia theksoi se incidenti nuk po trajtohet si akt terrorist dhe besohet të jetë një rast i izoluar.
Sipas Shërbimit të Ambulancës së Veriut Perëndimor, 27 persona janë dërguar në spital për trajtim, ndër ta edhe katër fëmijë. Dy persona, përfshirë një fëmijë, janë në gjendje të rëndë. 20 të tjerë morën trajtim në vendin e ngjarjes.
Komandanti i Zjarrfikësve, Nick Searle, konfirmoi se katër persona, përfshirë një fëmijë, u nxorën nga poshtë makinës.
Çfarë thanë dëshmitarët?
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë veturën duke hyrë në turmë dhe duke përshpejtuar përpara se të ndalonte. Një pjesë e turmës u përpoq ta ndalte makinën, duke e goditur dhe duke thyer xhamin e pasmë.
Gazetari i BBC-së, Matt Cole, tha se makina “thjesht nuk po ndalonte” dhe se ajo ndiqej nga një grup burrash që po përpiqeshin ta ndalonin. Ai vlerësoi se vetura lëvizte me mbi 30 km/h.
Një tjetër dëshmitar, Mattheë O’Carroll, 28 vjeç nga Runcorn, tha se vetura lëvizte me një shpejtësi të konsiderueshme dhe se shoferi përdorte bori ndërsa kalonte mes turmës.
Ku ndodhi?
Incidenti ndodhi në Ëater Street, afër rrugës Strand, ku pak çaste më parë Liverpool FC kishte kaluar me autobusin e hapur duke festuar titullin. Mijëra njerëz kishin dalë në rrugë për të festuar. Ngjarja ndodhi rreth një milje para pikës përfundimtare të paradës.
Reagimet
Kryeministri Sir Keir Starmer u informua për zhvillimet dhe reagoi në rrjetin X:
“Pamjet nga Liverpool janë tronditëse – mendimet e mia janë me të gjithë të lënduarit dhe të prekurit. Falënderoj shërbimet e emergjencës për reagimin e tyre të shpejtë.”
Liderja konservatore Kemi Badenoch tha se pamjet janë “thellësisht shqetësuese” dhe shprehu solidaritet me të prekurit dhe ekipet emergjente.
Liverpool FC deklaroi se është në kontakt me policinë dhe se mendimet dhe lutjet e klubit janë me të gjithë të prekurit. Klubi shtoi se do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për autoritetet lokale.
Edhe rivali lokal, Everton FC, shprehu solidaritet të ngjashëm.
Premier League gjithashtu reagoi: “Të gjithë në Premier League janë të tronditur nga ngjarjet e tmerrshme në Liverpool. Mendimet tona të sinqerta shkojnë për të gjithë të lënduarit dhe të prekurit”.