Njohësi i mardhënieve ndërkombëtare Amir Shabani, në një prononcim për Gazetën Enigma, shtjellon raportin e Bashkimit Evropian karshi Serbisë dhe si ndikon ajo tek Republika e Kosovës.
Sipas tij BE i ka pasur tre objektiva në mardhënie me Serbinë.
“BE-ja ka pasur tre objektiva në raport me Serbinë: 1. Kufizimi i ndikimit rus dhe kinez, duke pasur parasysh se epiqendra e këtij ndikimi në Ballkanin Perëndimor është Serbia; 2. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhë më pas njohjen e saj (de facto dhe de jure); 3. Mbrojtja dhe garantimi i integritetit territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës. Serbia është ajo e cila e ka të vështirë dhe aspak ta pranojë pavarësinë e jo vetëm të Kosovës, por edhe të Malit të Zi, pa marrë parasysh se a ekziston në politikat serbe plani rreth krijimit të një “Serbie të Madhe””, theksoi Shabani.
Njohësi i çështjeve ndërkombëtare potencon se këto lëvizje e bëjnë Vuçiqin të defunksionalizojë shtetësinë e Kosovës.
“Presidenti Vuçiq me këto lëvizje (mosorientimin konkret drejt Perëndimit dhe mosshkëputjen e lidhjeve me Rusinë) vazhdon të fitojë kohë nga njëra anë dhe tenton që sa më shumë të defunksionalizojë shtetësinë e Kosovës nga ana tjetër. Ai e di se çështja e Kosovës është një çështje e humbur për Serbinë dhe sondazhet e fundit tek populli serb tregojnë se çështja e Kosovës nuk është e renditur në pikat kryesore sa i përket jetesës së tyre, e aq më pak të angazhohen në luftim për një çështje të tillë. Populli serb, si çdo popull në Ballkanin Perëndimor dhe më gjërë, prioritetet e tij i rendit si: rritja ekonomike, cilësia arsimore dhe shëndetësore, rritje e pagave dhe pensioneve, mundësi profesionale dhe biznesi për të rrinjtë etj., ndërsa sa i përket çështjes së Kosovës, ata e dijnë se kjo ka përfunduar dhe se Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik”, tha Shabani.
Shabani deklaroi se Kosova në këtë pozitë që është momentalisht duhet të fokusohet më shumë në zhvillimin e mardhënieve me ShBA-të dhe kancelaritë të Bashkimit Evropian.
“Sa i përket Kosovës, ajo duhet rritur zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike fillimisht me SHBA-të, si parter kryesor dhe me kancelaritë kryesore të BE-së duke punuar në rritjen dhe realizimin e njohjeve të reja ndaj pavarësisë së Kosovës, veprim ky që nuk duhet neglizhuar dhe vazhdimisht duhet insistuar për ta realizuar, ku vetëm për brenda BE-së janë pesë shtete (Greqia, Romania, Slovakia, Spanja dhe Qiproja) që akoma nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, tha Shabani.
Ndër të tjera lidhur me takimin e radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit nuk pritet të arrihet ndonjë marrëveshje.
“Më 18 mars, dita kur është caktuar takimi i rradhës mes Kurtit dhe Vuçiqit së bashku me lehtësuesit Borrell dhe Lajçak, nuk pritet të ketë ndonjë hapërim të madh, por së paku të ketë një progres minimal dhe Kosova të jetë më syhapur sa i përket zhvillimit të politkave, qoftë të brendshme dhe të jashtme, sepse sado që partneriteti i Kosovës me SHBA-të të jetë i rëndësisë së veçantë, Kosova sërish është ajo që do vendos vet për qëndrimet e saja dhe nuk duhet që politika e jashtme të jetë në politikën e brendshme dhe politika e brendshme në atë të jashtmen”, përfundoi Shabani./GazetaEnigma/