Çfarë duhet të jetë prioritet i Qeverisë për tejkalimin e krizës ekonomike? – Flasin analistët

Çfarë duhet të jetë prioritet i Qeverisë për tejkalimin e krizës ekonomike? – Flasin analistët

Propozimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Qeverinë e Kosovës për tejkalim të krizës ekonomike, nuk qëndrojnë sipas ekonomistit, Mustafë Kadrijaj.



Kadrijaj tha për Gazetën Enigma se sjellja e LDK-së është shumë hipokrite, duke e ditur faktin se kur kjo parti ka qenë në qeverisje, ka qenë pro trustit, ndërsa sot deklarohet kundër.

Sipas Kadrijajt kjo është jo e drejtë për qytetarin sepse si në kohë të pandemisë, por edhe tani qytetarët janë në gjendje të rëndë për faktin e rritjes së çmimeve bazë në vend.

“Kriza e konfliktit Rusi – Ukrainë vetëm se po e rëndon edhe më shumë nivelin e tregut global, ndërsa në anën tjetër LDK i propozon qeverisë një pako të re ekonomike që në këtë drejtim kjo është nuk qëndron”, ka thënë ai.

Ai shton se duke bërë pako ekonomike dëmtohet buxheti i Kosovës, mirëpo nëse bëhet tërheqja e trustit mbase nuk dëmtohet.

“Duke u bërë pako ekonomike dihet që dëmtohet buxheti, ndërsa nëse bëhet tërheqja e trustit është e mirëseardhur për qeverinë për faktin se nuk dëmtohet buxheti, ku me këtë do të ishte fuqizuar fuqia blerëse, ndërsa tek qytetari do të ishte rritur qarkullimi ekonomik në biznese dhe në fund do të kishte përfituar qeveria përmes përmes taksave dhe tatimeve”, tha ndër të tjera Kadrijaj.

Ndërsa, ekonomisti Safet Gerxhaliu, thotë se rekomandimet që i ka dhënë LDK-ja zëjnë hapësirë për dialog dhe sipas tij bashkarisht të dalin në një strategji dhe t’i minimizojnë efektet e krizës ekonomike aktuale.

“Nuk i bëhet nderë Kosovës që në këtë kohë krize ku vërtetë qytetari ballafaqohet me mungesë të produkteve, me spekulime tregtare ( ku çmimet nuk I kontrollon askush”, dhe e tëra kjo të përcjellet nga ana institucionale shumë më tepër se apo lejohen mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë, shumë më tepër sa i përket dialogut dhe asociacionit”, shtoi ai.

“Ukraina edhe në kohë lufte i kushton rëndësi mbjelljeve pranverore”

Kështu thotë ekonomisti, Safet Gërxhaliu, ku ndër të tjera ka theksuar se në Ukrainë për një javë janë mbjellur më tepër se 150 mijë hektarë tokë dhe kultura pranverore.

Ai thotë se kur një gjë e tillë paska mundësi të bëhet në Ukrainë, sipas tij pse të mos jetë prioritet edhe për Kosovën, duke shtuar kështu se në aspektin e ushqimit vendi ta ketë një garancion e cila është e mirëseardhur.

Tutje, Gërxhaliu potencoi se kriza ekonomike që ka kapluar Kosovën ka mbetur nën hije të agjendës politike.

“Vendet e rajonit kanë qenë shumë më aktive në këtë drejtim, në rend të tretë në Kosovë është krijuar një distancë e pushtetit ku në një llojë forme dialogu dhe partneriteti publiko-privat është në nivelin më kritik dhe në këtë drejtim është koha kur të gjitha partitë politike të ngriten mbi interesat e partive politike dhe të mendojnë për shtet e për qytetarët dhe jo gjithmonë pritoritet të jetë vetëm agjenda politike në interes të tyre”, tha ai për Gazetën Enigma.

Sipas tij është koha kur kultura apo mbjellja pranverore të jetë priroritet shumë i rëndësishëm dhe në këtë drejtim duhet të mbështetet.

Ndryshe, Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka propozuar tri masa për tejkalimin e krizës ekonomike në vend.

Hoti gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës është shprehur se kriza energjetike, ajo e çmimeve dhe pasiguria botërore e shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë janë indikacionet se gjendja ekonomike e qytetarëve në vend është vështirësuar.

Ai ka thënë se të gjitha këto masa janë të përballueshme për buxhetin e shtetit dhe se sipas tij, duhet të merren sa më parë në mënyrë që të mos vijmë në një situatë që Qeveria t’i merr këto masa nën presione.

“Ne për këtë kemi tri propozime. Masa e parë dhe e menjëhershme do duhej të ishte indeksimi i të gjitha përfitimeve pensionale dhe ndihmave sociale për normën e inflacionit të çmimeve të produkteve ushqimore bazike, që nënkupton rritje e të gjitha pensioneve dhe ndihmave sociale për aq sa janë rritur çmimet e produkteve ushqimore bazike. Kjo masë i prekë të gjithë qytetarët mbi moshën 65 vjeçare si dhe të tjerë që marrin çfarëdo asistence nga shteti”, është shprehur ai.

“Masa e dytë do të ishte rritja e subvencioneve në bujqësi për të mundësuar vazhdimësinë e aktivitetit bujqësor për shkak të rritjes tej mase të çmimit të farërave, plehrave dhe inputeve të tjera bazike për bujqësi. Kjo rritje e subvencioneve siguron që rreth 1/3 e familjeve kosovare të mbajnë nivelin e të ardhurave që marrin nga aktiviteti i tyre bujqësorë”, ka shtuar Hoti.

“Ndërsa, masa e tretë që duhet konsideruar është rritja e menjëhershme e pagës minimale sipas një indeksi që merr parasysh koston e jetesës, si dhe rritje e pagave në sektorin publik gjithashtu bazuar në një indeksim për koston e jetesës. Këtu nuk duhet hedhur poshtë edhe propozimi për tërheqje të një shume të kursimeve pensionale, por një shume dukshëm më të vogël sesa ajo që është propozuar me qëllim të ruajtjes së stabilitetit afatgjatë të kursimeve që janë në menaxhim të Trustit për qëllime të sigurisë së të ardhurave për pensionistët e ardhshëm. Kjo masë prek të gjithë të punësuarit në sektorin publik dhe privat”, ka përfunduar deputeti i LDK-së.  /Gazeta Enigma/.

Related Articles