Çfarë ka ndodhur me aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës – deputeti gjerman, Knut Abraham i shkruan Komitetit të Ministrave

Çfarë ka ndodhur me aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës – deputeti gjerman, Knut Abraham i shkruan Komitetit të Ministrave

Deputeti gjerman nga radhët e CDU-së, Knut Abraham, ka bërë të ditur se i ka shkruar Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, organ ky vendimmarrës në KiE lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.

Abraham në një postim në Twitter shkruan se janë bërë tetë muaj që kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim dhe ende nuk ka ndodhur asgjë.

Ai në letrën dërguar Komitetit të Ministrave bën të ditura disa raste kur është vepruar shumë shpejt pas aplikimit të atyre shteteve për anëtarësim në KiE.

“Tetë muaj më parë Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës. Që nga ajo periudhë nuk ndodhi asgjë. Pyeta Komitetin e Ministrave kur ata përfundimisht planifikojnë ta referojnë kërkesën e Kosovës për opinion në Asamblenë Parlamentare?!”, shkruan Abraham.

Ndryshe, Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës më 12 maj të 2022-së, ndërsa nuk ishte përfshirë në agjendë të Komitetit të Ministrave të KiE-së që ishte mbajtur më 20 maj.

Ditë më parë, Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës mohoi se ka dështuar anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Nuk është votuar kundër dhe nuk ka dështuar anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhej në reagimin e MPJD-së pasi nga Lidhja Demokratike të Kosovës kishin thënë se shqyrtimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka dështuar.

Related Articles