Cilat janë masat ligjore që mund t’i ndërmarrin partitë politike ndaj vendimit të ZRrE-së për shtrenjtim të rrymës?

Cilat janë masat ligjore që mund t’i ndërmarrin partitë politike ndaj vendimit të ZRrE-së për shtrenjtim të rrymës?

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka aprovuar tarifat e energjisë elektrike gjatë ditës së sotme, shkruan Gazeta Enigma.

Ndaj këtij vendimi, pati reagime të shumta nga skena politike, derisa deputetët e Kuvendit kërkuan të shfuqizohet ky vendim.

Mirëpo, se a mund të marrin partitë politike masa ligjore ndaj këtij vendimi, analisti për çështjet e Drejtësisë, Ehat Miftaraj thotë se çdo vendim i një organi administrativ sigurisht se mund të jetë subjekt i ankesës qoftë në gjykatë.

Çdo vendim i një organi administrativ sigurisht se mund  të jetë subjekt i ankesës qoftë në gjykatë apo brenda mekanizmave të brendshëm, sikurse është e përcaktuar me ligj, përfshirë të drejtën e ankesës apo hapjes së konfliktit administrativë”, thotë për Gazetën “Enigma” analisti për çështje të Drejtësisë, Ehat Miftaraj.

Miftaraj thotë se çdo ankesë mund të shfuqizohet, por sipas tij kjo varet nga fakti nëse gjykata vlerëson se ka pasur shkelje ligjore.

Çdo ankesë apo konflikt administrativ sigurisht se mund të anulohet apo shfuqizohet varësisht nga fakti nëse gjykata vlerëson dhe konstaton se ka pasur shkelje ligjore apo procedurale gjatë miratimit te të njejtit”, vlerëson Miftaraj.

Ai shtoi se nëse gjykata vlerëson se vendimi është i bazuar në ligj dhe procedurë vendimi do të mbetet ne fuqi.

Ndërsa, lideri i PDK-së, Memli Krasniqi ka paralajmëruar se kjo parti, siç e ka kundërshtuar gjatë gjithë muajve të kaluar, do ta kundërshtojë me çdo mjet ligjor, në çdo instancë gjyqësore.

“Në të njejtën kohë, PDK po diskuton mundësinë e organizimit të një peticioni qytetar, në mënyrë që tandemi Qeveri-ZRRE ta kuptojë se rritja e çmimeve të energjisë nuk është një betejë politike opozitare përballë një qeverie të paaftë e të papërgjegjshme, por është një kërcënim ndaj qytetarëve të Kosovës që janë në betejë për mbijetesë, e të cilët nuk munden dhe nuk duhet ta bartin mbi supe koston e paaftësisë së qeverisë Kurti”, tha Krasniqi.

Si reaguan partitë politike ndaj këtij vendimi?

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se do të tentoj t’i mbledhë 40 nënshkrime për një seancë të jashtëzakonshme, me qëllim të diskutimit së vendimit të fundit të ZRRE-së për çmimin e energjisë elektrike.

Kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, tha se pos seancës do të kërkohet shkarkimi i bordit të ZRRE-së si dhe përgjegjësi nga institucionet e Qeverisë. Abdixhiku deklaroi se për bllokun e ri tarifor, Qeveria Kurti do përpiqet të mbledhë më shumë tatime në kohën kur sipas tij, qytetarët janë në krizë.

“Ky diferencim bëhet edhe më i rëndë kur nuk zbatohen masat në veri të vendit. Qeveria Kurti refuzon të heqë TVSH-në siç kanë vepruar 11 shtetet anëtare të BE-së, ai e rrit çmimin por edhe takson në anën tjetër. Qeveria po përpiqet të mbledhë më shumë tatime në këtë krizë”, tha Abdixhiku

Kurse kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Sipas Krasniqit, kjo rritje enorme do të dëmtojë rëndë familjet kosovare.

“Në koordinim direkt dhe me bekimin e plotë të qeverisë dhe Kryeministrit Albin Kurti, sot ZRRE zyrtarizoi vendimin e paralajmëruar për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e vulosur rëndimin e mëtejmë të jetës dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës. Që nga fillimi i mandatit të saj, Qeveria Kurti ka dështuar të ndërmarrë çfarëdo hapi për të zhvilluar ekonominë e vendit, të rënduar shumë gjatë pandemisë, duke qenë e paaftë të adresojë kërkesat dhe nevojat e bizneseve, shumë prej të cilave i solli në prag të falimentimit. Për më shumë, qeveria ka dështuar të ndërmarrë masa, të parandalojë përkeqësimin dhe të lehtësojë barrën sociale për familjet kosovare, përballë rritjes së vazhdueshme të çmimeve në çdo produkt esencial”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, zëdhënësja e Partisë Social Demoratike, Natyra Kuçin ka thënë se qëndrimi i PSD-së mbetet i njëjtë duke paralajmëruar protesta.

“Vendimi duke shumë i dëmshëm. Kemi qëndrimin e njëjtë si më herët”, ka thënë ajo për Gazetën “Enigma”.

LEXO EDHE: Molliqaj i bën ftesë publike opozitës dhe shoqërisë civile që të kundërshtojnë bashkë shtrenjtimin e rrymës

Ndryshe, sipas vendimit të ZRRE-së energjia elektrike nuk do të shtrenjtohet për konsumatorët që i shpenzojnë deri në 800 kilovat orë, ndërsa ata konsumatorë që shpenzojnë mbi 800 kilovat do të paguajnë 12.5 cent për kilovat, apo një rritje prej 100%.

“Ky bllok të zhvendoset në 800 kilovat orë. Struktura tani e re tarifore deri në 800 i inkurajon konsumatorët që t’i shfrytëzojnë dy tarifat. U ofron konsumatorëve që të shfrytëzojnë energjinë në mënyrë eficence me 5,9 cent kwh. Për ata që konsumojnë mbi 800 është tarifa e lartë prej 12 cent dhe tarifa e ulët 6 cent. Njëkohësisht edhe në deri 800 tarifa e ulët prej 3 cent dhe tarifa e lartë prej 7 cent”, është thënë nga Departamenti i tarifave në ZRRE.

Sipas ZRRE-së, rreth 20% e tejkalojnë këtë bllok të konsumit tarifor. /Gazeta Enigma/.

Related Articles