Kryeministri Albin Kurti është duke u deklaruar lidhur me takimin e 18 gushtit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
“Më 18 gusht në Bruksel kemi zhvilluar negociata me palën serbe edhe atë me ftesë të Komisionerit të Lartë të BE-së, zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, përgjegjësit për politikën e jashtme dhe sigurinë, Josep Borrell. Ky takim fillimisht ishte planifikuar për datën 19 korrik, por u shty si rezultat i mosgatishmërisë për pjesëmarrje nga pala tjetër. Sipas agjendës së komunikuar paraprakisht takimi trilateral i mbajtur në formatin 1+0 do të trajtonte vetëm dy tema – diskutimet për elementet e marrëveshjes finale dhe çështjet aktuale”.
Ai konfirmoi se ka prezantuar gjashtë kapituj që pala kosovare kërkon që të jenë pjesë e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë, njofton Klankosova.tv.
“Te tema e parë unë kam elaboruar në detaje këndvështrimin e palës tonë për kornizën e përgjithshme dhe elementet e saj që do të duhet të përfshinte marrëveshja finale edhe atë në formë të gjashtë kapitujve. Kapitulli i parë do të duhej të definonte qartë statusin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve dhe kontekstin ndërkombëtar që nënkupton në njërën njohjen reciproke dhe në anën tjetër rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në organizatat ndërkombëtare. Në kapitullin e dytë duhet të trajtojmë ballafaqimin me të kaluarën, të adresojmë të kaluarën ku hyjnë personat e zhdukur me dhunë, viktimat e dhunës seksuale, personat e zhvendosur, drejtësia tranzicionale, dëmet materiale dhe jomateriale të luftës, kthimi i dokumentacioneve publike, por edhe i artefakteve arkeologjike dhe etnologjike. Pas trajtimit të plotë të së kaluarës mund të diskutojmë për hapat që do t’i ndërmarrim në të ardhmen e të cilët kanë të bëjnë me bashkëpunimin. Për neve e ardhmja është bashkëpunim, bashkëpunim ky që sipas bindjes tonë si pikënisje duhet të ketë katër liritë e dalë nga Procesi i Berlinit – liria e kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve. Në kapitullin e katërt ne ofrojmë trajtimin e të drejtave të pakicave respektive, përfshirë edhe garancionet përkatëse si për serbët në Kosovë ashtu edhe për shqiptarët në Serbi. Në kapitullin e pestë duhet të rikonsiderjmë marrëvshjet e deritanishme por jo me idenë e rinegocimit të tyre siç është plasuar dezinformata nga pala tjetër, por të shqyrtimit të asaj se cilat prej këtyre marrëveshjeve veç janë tejkaluar nga pranimi e nënshkrimi i marrëveshjes ligjërisht të obligushme finale e cilat prej tyre duhet të vazhdojnë të implementohen. Kapitulli i fundit duhet të vendosë qartë mekanizmat për zbatimin e marrëveshjes dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve eventuale gjatë zbatimit”.