Çka deklaroi në Prokurori mësimdhënësi që dyshohet për sulm seksual ndaj të miturës në Deçan?

Çka deklaroi në Prokurori mësimdhënësi që dyshohet për sulm seksual ndaj të miturës në Deçan?

Mësimdhënësi nga Deçani i cili po dyshohet për sulm seksual ndaj një të miture, e ka mohuar ta ketë kryer këtë vepër.

Një video-incizim i publikuar në media ditëve të fundit, tregon një moment ku mësimdhënësi shihet duke e puthur një nxënëse, vajzë e mitur.

Edhe kjo e fundit, sipas dosjes së prokurorisë, ka deklaruar në stacionin policor se i dyshuari V.S. e ka puthur në buzë atë dy herë, pa pëlqimin e saj.

Ndërsa i dyshuari, V.S. në deklaratën e tij e pranon që është mësimdhënës i viktimës, se ka qenë në dijeni të moshës së saj, por veprimet e tij kanë qenë vetëm duke e përkëdhelur dhe duke iu vendosur dorën në kokë dhe se i njëjti e ka afruar afër vetit për disa sekonda, tek faqja.

I dyshuari V.S, e ka mohuar sulmin seksual, por që sipas dosjes së prokurorisë, kjo është bërë me qëllim të ikjes nga përgjegjësia penale, ngase video-incizimi i kësaj ngjarjeje e vërteton të kundërtën.

Për këtë rast, Prokuroria themelore në Pejë ka bërë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për mësimdhënësin në fjalë nën dyshimin se ai ka kryer dy vepra penale sulm seksual dhe kanosje.

Sipas dosjes së prokurorisë, i dyshuari V.S., dyshohet po ashtu se ka kanosur edhe personin apo dëshmitarin që e ka bërë video-incizimin e rastit në fjalë.

Këtë të fundit, dosja e prokurorisë tregon se i dyshuari e kishte vërejtur se e kishte bërë video-incizimin dhe se i njëjti e kishte kanosur duke iu drejtuar me fjalët ‘’Ta shkatërroj edhe familjen’’.

Sipas dëshmitarit që ka bërë video-incizimin e ngjarjes në fjalë, i dyshuari V.S. paraprakisht edhe me datën 8 qershor 2023, e kishte puthur viktimën dhe se i njëjti e kishte incizuar.

Të dyshuarit, sipas dosjes së prokurorisë i është bërë edhe sekuestrimi i përkohshëm i sendeve.

Zëdhënësi i prokurorisë themelore në Pejë, ditën e djeshme ka konfirmuar për Kallxo.com se prokurori i shtetit ka marrë veprime hetimore për ndriçimin e plotë të kësaj çështjeje.

“Prokurori ka shkuar në stacionin policor dhe ka urdhëruar sekuestrimin e telefonit të të pandehurit” – ka thënë dje zëdhënësi për KALLXO.com.

Në anën tjetër, mësimdhënësi është suspenduar edhe nga puna.

Këtë për KALLXO.com, e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili ka konfirmuar se rasti ka ndodhur të premten.

“Është një rast që na ka tronditur për nga natyra për shkak të respektit që e kanë pasur banorët për atë mësimdhënës, dhe nuk e di çka ka mujtë m’i ndodhë. Mirëpo është rast që na ka tronditur të gjithëve” – ka thënë Ramosaj.

Kryetari ka theksuar se menjëherë pas raportimit është marrë masa për suspendimin e mësimdhënësit deri sa të verifikohen procedurat e hetuesisë.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se drejtori i shkollës dhe drejtori i Arsimit e kanë denoncuar mësimdhënësin.

Related Articles