këtë të hënë u bë e ditur se një Njësi Policore e Specializuar Rezervë, e përbërë prej 92 pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmerisë, do të zbarkojë përkohësisht në Kosovë.
Kjo njësi pritet të nis misionin e saj javëve në vijim, për të përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it, transmeton Gazeta Enigma.
Por, kush janë 92 pjesëtarët e këtij misioni, që pritet të vendosen si njësi rezerve në Kosovë?
Njësia Policore rezervë nga EUROGENDFOR, përbëhet prej 92 xhandarmëve: 42 nga Portugalia, 28 nga Franca dhe 22 nga Italia.
Të njëjtit është paraparë të vendosen në Kompleksin e EULEX-it, për mbështetje në Fushë Kosovë dhe të gjithë do operojnë nën komandën e misionit të EULEX-it.
Sipas EULEX, zbarkimi i kësaj njësie, dëshmon vendosmërinë e këtij misioni për të vazhduar mbështetjen e stabilitetit të Kosovës për të kontribuar për sigurinë e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
Çka është Forca Evropiane e Xhandarmerisë?
Forca Evropiane e Xhandarmerisë është forcë policore shumëkombëshe, operacionale, e para-organizuar, e fuqishme, dhe shpejtë e zbarkueshme. Njësia Policore e Specializuar e EULEX-it është reaguesi i dytë i sigurisë i Kosovës dhe ofron mbështetje të vazhdueshme për kapacitetet e Policisë së Kosovës për kontrollin e turmave dhe trazirave përmes këshillave dhe seancave të trajnimeve të përbashkëta.
Mekanizmi treshtresor i reaguesve të sigurisë në Kosovë përbëhet prej Policisë së Kosovës si reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-it si reagues i dytë dhe KFOR-it si reagues i tretë. Qëllimi i reaguesit të dytë të sigurisë është de-eskalimi i tensioneve dhe rikthimi i rendit publik, si dhe mbrojtja e jetës, integritetit dhe pronës së popullsisë së prekur.
Zbarkimi paraprak i një ekipe të kësaj njësie, është pararparë të bëhet sot më 14 mars, siç u theksuar në kumtesën e zyrës për media të EULEX.
Si u krijua Forca Evropiane e Xhandarmerisë? (EUROGENDFOR)
Konkluzionet e takimit të Këshillit Evropian mbajtur në Nice të Fracës, më 7-9 dhjetor 2000 ishin se Bashkimi Evropian duhet të bëhej shpejt operacional në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Si vazhdim, 5 shtete anëtare të BE-së – Franca, Italia, Holanda, Portugalia dhe Spanja- propozuan pikat si vijon:
T’i ofrojë Evropës një aftësi të plotë për të kryer të gjitha misionet policore në operacionet e menaxhimit të krizave brenda kuadrit të Deklaratës së Petersberg-ut, veçanërisht në lidhje me misionet zëvendësuese;
Të ofrojë një strukturë operacionale shumëkombëshe për ato shtete që synojnë t’i bashkohen operacioneve të BE-së;
për të marrë pjesë në iniciativat e organizatave ndërkombëtare në fushën e menaxhimit të krizave.
E për të përmbushur këtë propozim, vendet vendosën të krijonin një Forcë Xhandarmërie, të quajtur Forca Evropiane e Xhandarmërisë (EUROGENDFOR), e cila do të ishte operacionale, e organizuar paraprakisht, e fuqishme dhe e disponueshme me shpejtësi për të kryer të gjitha detyrat e policisë.
Kush komandon Forcën Evropiane të Xhandarmerisë?
Koloneli Paulo Jorge Macedo Gonçalves mori detyrën si Komandant i Përhershëm i Shtabit të EUROGENDFOR-it më 24 qershor 2021. Më parë ai kryente detyrat si Ndihmës Shefi i Shtabit për Divizionin e Operacioneve dhe Ushtrimeve.
Ai ka lindur në Vila Real/Portugali në vitin 1970 dhe ka 29 vite shërbim efektiv.
Gjatë gjithë karrierës së tij ai shërbeu në disa njësi operacionale të Guarda Nacional Republicana (GNR), duke kryer funksione komanduese policore si komandant i togës së kontrollit të turmës dhe trazirave, komandant i detashmentit të trafikut dhe funksionet e stafit të Njësisë Territoriale.
Ai ka shërbyer gjithashtu si mësues në Akademinë Ushtarake dhe në Departamentin e Operacioneve të Institutit Universitar të Forcave të Armatosura. Kohët e fundit, ai shërbeu si shef i Kabinetit të Komandantit të Përgjithshëm Operacional të GNR-së dhe si Shef i Kabinetit të Zëvendëskomandantit të Përgjithshëm të GNR-së.
Ai është kualifikuar me një diplomë master në shkencat ushtarake – specializim në Sigurinë e Brendshme, Diplomë pas diplomimit në Drejtësi dhe Siguri dhe Diplomë pas diplomimit në mbrojtje dhe siguri. Ai gjithashtu mori pjesë në Kursin e Shtabit të Përbashkët Portugez.
Ai ka përvojë ndërkombëtare, duke qenë më i rëndësishmi si Zyrtar Planifikimi në Divizionin Shumëkombësh Juglindor – Basrah/Irak, në vitin 2005.
Ndryshe vendosja e përkohshme në Kosovë e njësisë Policore të Specializuar Rezervë të forcës policore shumëkombëshe, Forca Evropiane e Xhandarmerisë (EUROGENDFOR), ishte temë e takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me shefin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Lars Gunnar Wigemark.
Kryeministri Kurti ritheksoi vendosmërinë e Qeverisë dhe përkushtimin institucional për të forcuar e avancuar sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit e korrupsionit.
Ndërsa Wigemark rikonfirmoi përkushtimin dhe gatishmërinë e misionit EULEX për vazhdimin e përkrahjes për institucionet për forcimin e rendit dhe ligjit në Kosovë dhe mbështetjes së stabilitetit të Kosovës dhe për të kontribuar në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Në këtë takim të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, u bisedua edhe për situatën aktuale në Kosovë dhe për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe misionit EULEX në fushën e sundimit të ligjit./Gazeta Enigma/