Çka ndodhi me mjekët e infermierët e angazhuar në pandemi, flasin nga sindikata

Çka ndodhi me mjekët e infermierët e angazhuar në pandemi, flasin nga sindikata

Përhapja e shpejtë e Covid-19 shtoi edhe nevojë për angazhimin e mjekëve dhe infermierëve në të gjitha nivelet e sistemit shëndetësor.



Por përfaqësuesit e këtyre të fundit edhe pse përmendin shifrën deri ne 500 persona nuk kanë informacione të sakta se sa është numri i atyre që u angazhuan në këtë periudhë.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla tha se Ministria e Shëndetësisë është treguar jotranspartente pasi nuk dihet numri i mjekëve e infermierëve të punësuar në kohë të pandemisë.

“Për fat të keq ne nuk e dimë numrin as të mjekëve e as të infermierëve sa kanë qenë të angazhuar në kohë të pandemisë me kontrata. Kjo është tash plus një jo transparencë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë edhe pse ne në vazhdimësi kemi kërkuar që këta që kanë punuar të iu vazhdohet sepse kanë dhënë një kontribut mirëpo me të vërtetë nuk e dimë se cili është numri i saktë”, tha ai për EO.

Sipas Sylës ka punëtorë shëndetësorë që janë larguar nga vendi për shkak se nuk u janë vazhduar kontratat.

Ai pohon se duhet urgjentisht duhen të amandamentohen e të ndryshohen ligjet, ngase është krijuar një gjendje pasigurie për punëtorët shëndetësor në vend.

“Ne kemi indikacione që disa prej tyre veç janë larguar nga vendet e punës edhe është me të ardhur keq sepse disave u kanë hap edhe konkurset dhe nuk janë përparësi, ata tash në fund të pandemisë munden me mbet pa paga”.

Tutje ai theksoi se “Urgjentisht, të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me shëndetësi duhet të amandamentohen dhe të ndryshohen. Duke filluar nga Ligji i Pagave, i cili është jetik edhe pse është premtim edhe para Vitit të Ri ku kishte me i klasifiku edhe vendin punëtorëve shëndetësorë dhe tu jep vendin e merituar, te Ligji mbi shëndetësinë dhe te Ligji mbi sigurimet shëndetësore. Është krijuar një gjendje pasigurie në Kosovë për punëtorë”.

Edhe Kryetari i Odës së Mjekëve në Kosovë, Pleurat Sejdiu, tha se nuk kanë të dhëna të sakta për punësimin e punëtorëve shëndetësorë, por sipas tij, numri mund të jetë rreth 500.

Sejdiu thotë se mjekëve duhet tu sigurohen vende të punës të përhershme, ngase siç thotë ai nëse nuk u sigurohen vende të punës e kushte ata rrezikojnë që të largohen.

“Ne nuk kemi të dhëna të sakta sepse nuk menaxhojmë me to. Është Ministria e Shëndetësisë gjegjësisht institucionet shëndetësore po edhe ata shumë pak kanë informata sepse kjo ndërmarrje është bërë prej ministrave të shëndetësisë në të kaluarën. Numri sillet rreth 400-500, dhe të them të drejtën kjo nuk është metodë të cilët duhet të punohet”, potencoi ai.

“Po normal se rrezikojnë se nuk shohin se ku do të jetë drita në fund të tunelit, çka pason pas asaj. Nëse nuk shohin një dritë në fund të tunelit normal që shohin alternativa të tjera për kundër që mund të sigurohen të gjitha një numër prej tyre do të vazhdojë të largohet, por ta bëjmë të pamundurën që të ndalim sa më shumë këtu brenda”, shtoi tutje Sejdiu.

Sipas Sejdiut, shumica e ligjeve janë të mira, por që kanë nevojë të implementohen e të hyjnë në funksion.

“Unë më shumë jam i prirë dhe pas analizave që i kemi bërë që shumica e ligjeve janë të mira, nuk ka nevojë me i ndryshuar, ka nevojë me implementuar. Të bëhet një skenim çka janë ato pjesë të cilat nuk po munden me u implementu se ka plotë ligje të cilat bien ndesh njëra me tjetrën dhe aty bëhet një fërkim dhe bëhet një vakuum për implementimin e tyre. Prandaj ligjet në përgjithësi kanë nevojë për harmonizim mes vete”.

Kryetari i Odës së Mjekëve tha se menaxherët e institucioneve shëndetësore e Ministria e Shëdnetësisë duhet të japin llogari për moszbatimin e ligjeve.

“Menaxherët tonë në institucione, por edhe në ministri, çdo herë gjejnë atë se nuk e kemi zbatuar, do ta zbatojmë, pse nuk është zbatuar. Ta zëmë, është shumë e çartë cilat janë konditat të cilat duhet të përfitojnë për specializime, dihet fare mirë cilat kushte janë të cilat duhet t’i ofrohen një specializanti që mos me ik ai. Po i vjen një herë në 3 muaj ditë, me pas rastin në sallë operative, të mësojnë diçka”, tha ai. / Gazeta Enigma.

Related Articles