Çka ndodhi me njohjen e një shteti afrikan për Kosovën? Pacolli thotë se e ka kryer punën

Çka ndodhi me njohjen e një shteti afrikan për Kosovën? Pacolli thotë se e ka kryer punën

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, i është përgjigjur një komentuesi në Facebook kur është pyetur se çfarë ndodhi me njohjen nga shteti afrikan për të cilin njoftoi para një muaji, shkruan Gazeta Enigma.

“Të lutem ja bëni pyetjen KM dhe Presidentes, detyra ime ka qenë me ua sjellë delegacionin (ai ishte ne Kosovë, po në atë kohë unë i pata paralajmëruar) dhe tani ka mbet që një nga dy figurat te udhëtojnë për vizite zyrtare në atë shtet për nënshkrimin e marrëdhënieve diplomatike (me Presidentin e atij shteti) ashtu si ishte paraparë”, shkroi Pacolli në Facebook.

Ndryshe më 20 dhjetor të vitit të kaluar Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, kishte njoftuar se i ka dërguar letër Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, të cilin e ka lajmëruar për “një njohje të re të Kosovës” nga një shtet që atij i ka konfirmuar një gjë të tillë.

“Në WhatsApp, më datën 18/12 ju kam dërguar letrën dhe mesazhin e Presidentit të shtetit që ka konfirmuar se janë të gatshëm (javën e ardhshme) të vizitojnë Kosovën, për ta kryer formalitetin e njohjes dhe të diskutojnë për vizitën e juaj eventuale në këtë shtet”, shkruante Behgjet Pacolli.

Ish-kryediplomati i Kosovës thotë se “gjithçka është e rregulluar” dhe se “ka punuar gjatë për këtë njohje dhe pritet vetëm miratimi” i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.

“Unë si gjithmonë jam në dispozicion për gjithçka që keni nevojë rreth kësaj njohje”, i është drejtuar Kurtit, Pacolli.

Pacolli këtë thirrje vendosi ta bëjë publike, pasi siç shkruan ai, kryeminstri Kurti nuk është përgjigjur në letrat e tij.

“Duke ditur këtë, më mbetet vetëm t’ju drejtohem publikisht”, thotë ai. /Gazeta Enigma/

Related Articles