Janë një varg arsyesh që po e prolongojnë edhe më tutje heqjen e vizave, për shtetin më të ri në Evropë, Kosovën, shkruan Gazeta “Enigma”.
Përkundër shumë faktorëve, kryefjala e pengesave është mos luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit nga ana e institucioneve të drejtësisë.
Demush Shasha nga instituti “Epik”, në një intervistë për Gazetën “Enigma”, thekson se Kosova ka humbur shumë kohë për arsye tërësisht politike.
“Ne kemi humbur momentumin pozitiv që ekzistonte në vitin 2016 për shkak mungesës së konsensusit të spektrit politik lidhur me çështjen e demarkacionit i cili i ka kushtuar qytetarëve të Kosovës tani pothuaj pesë vite izolim. Në vitin 2016, BE-ja hapi derën Kosovës që të jetë pjesë Zonës Shengen, por skena politike e Kosovës refuzoj këtë ofertë duke mbajtur kështu qytetaret e Kosovës të vetmit në Ballkanin Perëndimor pa të drejtën e lëvizjes së lirë”, theksoi ai.
Arsyje tjetër sipas Shashës mbetet mos reformimi i sistemit të drejtësisë, kërkesë e kahmotshme e BE-së, kundrejt Kosovës. “Kosova dështoj të ndërtoj një sistem të pavarur të drejtësisë i cili do ishte në gjendje të shënoj progres në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë”, ka thënë ai tutje për Gazetën “Enigma”.
Tutje ai ka thënë se përpos këtyre, edhe disa faktorë të jashtëm përfshirë këtu gjendjen e krijuar me pandeminë, kanë shtyer liberalizimin e vizave.
“Pandemia ka krijuar një mjedis politik ku vet vendet anëtare të BE-së janë duke kufizuar lëvizjen e lirë qytetarëve të tyre brenda shtetit ku jetojnë. Prandaj është shumë vështirë të mendosh se në këtë kontekst të pandemisë vendet e BE-së do mbështesin lëvizjen e lirë të qytetareve me vende të treta”, është shprehur ai.
Siç ka thënë Shasha, Raporti i Vendit 2021, identifikoj sfida të shumta në fushën e sundimit të ligjit, ku është konkluduar se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet institucionale, ndërsa sistemi i drejtësisë mbetet nën ndikimin politik.
“Ngecjet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Mungesa e progresit në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është një pengese indirekte pasi qe vendet anëtare të BE-së e shohin bashkëpunimin rajonal si parakusht themelor në kuadër të gjitha proceseve integruese, përfshire edhe liberalizimin e vizave”, ka thënë ai.
Tutje ai është pyetur se çka duhet të bëjnë institucionet kosovare që ky proces të mos bllohet edhe më tutje.
“Në këtë kontekst, institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në kryerjen e detyrave që janë në përgjegjësinë e tyre. Rrjedhimisht, konsideroj se për qëllim të krijimit të një mjedisi të favorshëm për liberalizimin e vizave, institucionet e Kosovës duhet të bëjnë progres të ndjeshëm në sundimin e ligjit dhe dialogun me Serbinë. Pa përmbushjen e këtyre dy parakushteve e shoh të pamundur çfarëdo progresi sa i përket liberalizimit të vizave”, potencoi ai. /Gazeta Enigma.