Janë liruar disa kosovarë të cilët ishin ndaluar për më shumë se 17 orë në pikë kalimet kufitare Serbi – Kroaci dhe Serbi – Hungari.
Por, jo të gjithë.
Fatmir Haxholli nga zyra ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, ka thënë se ende nuk janë liruar të gjithë qytetarët kosovarë që janë mbajtur prej të martës në mbrëmje në pikë kalimin kufitar Serbi-Kroaci, Batrovc.
“Në funksion të mbrojtjes së interesit institucionak, interesit publik dhe interesit qytetarë, i ftoj publikisht mediat që të mos konfirmojnë zhvillime ta përmbyllura. Unë duhet të jem i fundit që dalë nga stacioni policor kufitar në Batrovc, dhe kjo ende nuk ka ndodh. Kur ky është rasti do të ketë komunikim nga MPJD!” ka shkruar ai në Facebook.
Kujtojmë se qytetarët e Kosovës të cilët po ktheheshin nga vende të ndryshme të Evropës për në Kosovë me autobusë mëngjesin e së mërkurës janë ndaluar në pikën kufitare Kroaci-Serbi, shkruan Gazeta “Enigma”.
Në pikën kufitare Kroaci-Serbi nga ora 23:00, 15 autobusë kanë pritur për të hyrë në Kroaci, ndërsa duke u kthyer për në Kosovë kanë qenë afër 30 sosh.
Një shofer i autobusit që kishin mbeturtë bllokuar në pikën kufitare Kroaci-Serbi, ka deklaruar për media se beson se “arsyeja e kësaj ndalese është që u votua për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sipas informacioneve që kemi ne është kjo arsyeja. Në çdo autobus po thonë policët që ka persona të dyshimtë. Po i marrin nga 2-3 persona, po i dërgojnë në stacion, po i pyesin se nga dhe prej ku po shkojnë”, tha ai.
MPB: Serbia ka ndaluar 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, pesë prej tyre i ka liruar
Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, ka njoftuar se 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë ndaluar në kalimet kufitare Merdar, Jarinje, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë.
“Institucionet përkatëse janë në proces të sigurimit të informacioneve të sakta për të sqaruar situatën e krijuar por nga ato që posedojmë deri tash, në ndalim kanë qenë 10 pjesëtarë të Policisë së Kosovës (shqiptarë dhe serb) të cilët janë ndaluar në kalimet kufitare Merdar, Jarinje, Dheu i Bardhë dhe në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. 5 nga ta janë liruar ndërsa 5 ndodhen akoma në mbajtje, duke përfshirë edhe Zëvëndësdrejtorin Jankovic”.
Tensionet e reja me bllokadën e kosovarëve në Serbi, Bislimi e Petkoviqi takohen nesër në Bruksel
Si pasojë e tensioneve të reja të krijuara nga pala serbe, me bllokimin e kosovarëve në pikat kufitare të Serbisë, nesër në Bruksel, Bashkimi Evropian do mbajë një takim në nivel kryenegociatorësh.
Kjo u konfirmua për media nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Një takim mes palëve e kishte paralajmëruar edhe para dy ditëve ndërmjetësi i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, megjithatë jo për të tilla tensione të krijuara sot, veçse për çështjen e dinarit.
Në lidhje me këtë çështje Gazeta “Enigma” ka kontaktuar me analistin politik, Visar Xani, i cili lëvizjen e fundit të Serbisë e ka komentuar si një shkelje flagrante të marrëveshjes së Brukselit për lëvizjen e lirë.
“Ndalimi i kosovarëve në kufirin me Serbin është një shkelje flagrante e marrëveshjes së Brukselit për lëvizjen e lirë. Po ashtu edhe të parimeve të vet Bashkimit Evropian për cilësitë dhe lëvizjen e lirë”, deklaroi ai.
Tutje Xani ka shtuar se nuk mjaftojnë vetëm disa reagime të lehta të Bashkimit Evropian për këtë çështje.
“Prandaj konsideroj që në të ardhmen nuk mjaftojnë vetëm disa reagime të lehta nga Bashkimi Evropian për këtë çështje, por duhet të merren masa të ashpra ndaj Serbisë me qëllim që të sigurohet zbatimi marrëveshjes për lirinë e lëvizjes, të iu mundësohet kosovarëve dhe qytetarëve të Kosovës të lëvizin lirshëm nëpër territorin e Serbisë dhe mos të vazhdojnë maltretimet edhe më tutje”, tha Xani për “Enigmën”.
“Ne e dimë që gjithë ky presion dhe këto probleme vijnë si pasoj e triumfit të Kosovës dhe rrugëtimin e Kosovës të sigurte për tu bërë anëtare e Këshillit të Evropës, dhe ky pezëm i Serbisë ka të bëj po ashtu edhe me faktorin ndërkombëtar dhe në njëfarë mënyre duke provuar e dëshpëruar për të provokuar edhe faktorin ndërkombëtar me de-stabilizim të mundshëm me qëllim që në fazën e fundit të arrij të pengoj Kosovën në këtë proces”, theksoi ai.
Xani ka shtuar tutje se Kosova duhet të koordinohet me SHBA dhe Bashkimin Evropian për çdo hap të mundshëm që duhet të marrim ne si shtet.
“Ne si Kosovë duhet të vazhdojmë edhe më tutje të jemi ngushtë të koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian dhe mos të marrim hapa të cilat mund të jenë reciproke ose si kundërpërgjigje nga kjo që vjen”, deklaroi Xani për Gazetën “Enigma”.
“Kundërpërgjigja kryesore e Kosovës duhet të jetë në koordinim me faktorin ndërkombëtar dhe të arrijmë të bëjmë një presion ndaj Serbisë që edhe në ditët dhe muajt në vijim mos të kemi veprime të tilla të Serbisë, por të ndëshkohet Serbia dhe mos të iu vij fare në mendje më të bëj një veprim të ngjashëm”, ka përfunduar ai.
Gërvalla: Bashkë me ministrin Sveçla u kemi raportuar ambasadorëve të Quint-it për ndalimin e kosovarëve nga Serbia
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, ka thënë se bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u kanë raportuar ambasadorëve të shteteve të QUINT-it dhe drejtorit të Zyrës së BE-së në Kosovë për ndalimin që u është bërë një numri të madh të qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare të Serbisë.
Ajo ka deklaruar se Serbia e ka shkelur marrëveshjen e arritur në vitin 2023 për lëvizjen e qytetarëve me pasaporta kosovare.
“I kemi informuar me aq detaje sa kishim në atë se çka po ndodh, kemi kërkuar një reagim të qartë dhe prerë ndaj Serbisë, jo vetëm për të parandaluar edhe demonstruar unitet mes faktorit demokratik ndaj qasjes që ka treguar Serbia. Sot jo vetëm që është shkelur marrëveshja e vitit 2023, po është shkelur edhe marrëveshja për mobilitetin”, ka thënë ministrja.
Gëvalla u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit që të mundohen të shmangin kalimin nëpër Serbi.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës
“MPJD dhe MPB janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe do t’iu mbajnë të informuar rreth detajeve të reja, ku bën apel qytetarëve që të mos kalojnë nga Serbia për në shtetet e BE-së, por të shkojnë në rrugë tjera alternative”, thuhet në reagimin e tyre.
Von Cramon: Serbia të lejojë kosovarët të kalojnë kufirin me letërnjoftime
Eurodeputetja Viola von Cramon ka bërë thirrje që Serbia të lejojë kosovarët të kalojnë me letërnjoftime.
Cramon reagoi pasi Serbia nuk lejoi shumë kosovar tëkalonin kufirin Serbi-Kroaci.
“Serbia duhet të ndalojë së turpëruari veten dhe menjëherë t’i lërë mbajtësit e letërnjoftimeve dhe pasaportave rë Kosovës të kalojnë kufirin Batrovci Serbi – Kroaci!”
“Duhet të sigurohet liria e lëvizjes së të gjithëve, pa diskriminim në bazë të kombësisë”, ka thënë Von Cramon.
Kurti: Serbia po hakmerret për Këshillin e Evropës
Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar hakmarrje të Serbisë për votimin në Këshill të Evropës, ndalimin e qindra shtetasve të Kosovës që nga orët e mbrëmjes të së martës në pikëkalimet kufitare të Serbisë.
Të martën, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi pro kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë institucion. Tani vendimi mbetet në duart e ministrave të shteteve anëtare.
“Një ditë pas votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Serbia hakmerret ndaj civilëve kosovarë. Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 shtetas tanë – përfshirë fëmijë – janë ndaluar arbitrarisht në kufij, janë privuar nga ushqimi dhe medikamentet. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Oda Amerikane pas bllokimit të kosovarëve: Serbia po e shkel Marrëveshjen për Normalizim
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka reaguar pas bllokimit të qindra qytetarëve nga Kosova nga autoritetet serbe.
“Marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, synojnë promovimin e stabilitetit ndërmjet dy shteteve dhe gjithë rajonit. Në qendër të këtyre marrëveshjeve është parimi i lehtësimit të lëvizjes së lirë të njerëzve, i cili përbën një vlerë thelbësore në procesin e integrimit evropian. Duke penguar lëvizjen e qytetarëve të Kosovës në destinacionet e tyre të dëshiruara në Evropën Perëndimore, autoritetet serbe jo vetëm që po i minojnë këto marrëveshje por edhe po pengojnë përparimin drejt stabilitetit rajonal dhe integrimit evropian”.
Tutje, Oda Amerikane i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë fuqishëm nga autoritetet serbe heqjen e menjëhershme të bllokadës dhe lejimin e qytetarëve të Kosovës, duke ua mundësuar lëvizjen e tyre për në destinacionet e dëshiruara.
“Gjithashtu, ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Serbisë që të përmbahen nga veprimet e ngjashme në të ardhmen duke respektuar angazhimet e tyre ndaj marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve”.
Këshilltari i Kurtit: Serbia ka ndaluar qindra kosovarë, mesin e tyre edhe zv.drejtorin e Policisë së Kosovës
Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka shkruar se në mesin e tyre ka dhjetëra fëmijë. Po ashtu ai ka bërë të ditur se i ndaluar nga autoritet e Serbisë është edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, nga komuniteti serb.
“Pas votimit të suksesshëm të djeshëm në APKE ai ka nisur arrestime masive në pikat kufitare, duke ndaluar qindra qytetarë të Kosovës, duke përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq (i cili është nga komuniteti serb). Të gjithë po mbahen peng, mes tyre dhjetëra fëmijë, pa u siguruar ushqim dhe mjekim” – ka shkruar Zulfaj në “X”.
Kusari-Lila kërkon përjashtimin e Serbisë nga KiE
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se bllokimi i kosovarëve nga autoritetet serbe, rrezikon jetët e tyre.
Duke komentuar këtë zhvillim, ajo ka kërkuar përjashtimin e Serbisë nga Këshilli i Evropës.
“Dje përfaqësuesit serbë në Këshillin e Evropës kërcënuan me tërheqje, nëse Kosova pranohet. Serbia duhet të përjashtohet, ngjashëm sikurse Rusia”, ka shkruar ajo.
“Veprimet si bllokimi i udhëtarëve në kufirin Serbi-Kroaci që nga mëngjesi, rrezikon jetë dhe dëmton qytetarë të pafajshëm”.
Kujtojmë se një udhëtari nga Kosova iu keqësua gjendja në kufirin Kroaci – Serbi, ku është nisur drejt Beogradit për trajtim mjekësor. /GAZETA ENIGMA/