Presidentit rus Vladimir Putin po i kalon koha dhe ai këtë e di. Ndërkohë po vazhdon paraqitja e tij “bombastike” duke deklaruar të premten se ka aneksuar territore të Ukrainës, Putin e ka shpallur Luhanskun, Donetskun, Zaporizhzhia dhe Kherson si pjesë të Rusisë.
Ai po ngutet të shpall fitoren dhe të betonojë fitoret e vogla dhe të kërkojë paqe, duke luajtur një lojë të rrezikshme politike, pavarësisht kundërshtimeve dhe mospajtimeve të shumta në Moskë, shkruan CNN.
I bëri thirrjes Ukrainës të ndalë luftimet dhe të ulet në tavolinë për të biseduar, por se shtoi: “Nuk do të flasim për vendimin e popullit. Kjo është e zgjidhur. Rusia nuk tradhton”.
Putin po jep gjithçka nga vetja që ta fsheh këtë, por ai po e humb luftën në Ukrainë e këtë po e shohin të gjithë.
Andrei Kortunov, i cili drejton Këshillin e Çështjeve Ndërkombëtare ruse në Moskë, po e sheh gjithashtu këtë: “Presidenti Putin dëshiron t’i japë fund të gjithë kësaj gjëje, sa më shpejt të jetë e mundur”.
Mobilizimi i Putinit ku ftohen 300 mijë rezervistë për të luftuar në Ukrainë, nuk do të fillojë menjëherë t’i sjell rezultate në fushëbetejë, dhe mund të ketë pasoja negative për Rusinë, duke e vënë në një pozicion të rrezikshëm politik.
Sipas të dhënave nga BE, Gjeorgjia dhe Kazakistani, rreth 220 mijë rusë kanë ikur nga vendi që kur Putin shpalli mobilizimin e pjesshëm. Nga BE-ja kanë bërë të ditur se numri i rusëve që kanë ikur nga vendlindja është shumë më i madh.
Mediat e pavarura ruse citojnë Shërbimin Sekret rus FSB, që vlerësojnë se eksodi është shumë më i madh. Thonë se shumë burra të aftë për luftë kanë ikur nga vendi me të shpallur mobilizimi, 261 mijë që i bie se është shumë më i madh numri i atyre që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë dërguar për të luftuar dhe që sillet nga 160 deri në 190 mijë.
CNN nuk ka mundur të verifikojë këto shifra të rusëve, por kolonat deri në 40 kilometra në kufijtë me Gjeorgjinë, Kazakistanin dhe Finlandën tregojnë për reagimin dhe forcimin e perceptimit që Putin po vlerëson keq disponimin e rusëve.
Kortunov thotë se nuk e di se çfarë po ndodhë në Kremlin, por e kupton disponimin e opinionit për shkak të shpenzimeve të mëdha dhe viktimave në luftë: “Shumë njerëz filluan të pyesin, pse kemi hyrë në këtë kaos? Pse kemi humbur kaq shumë njerëz?”
Opsioni i Putinit është logjik sipas Kortunovit, pasi mëton të shpall fitoren dhe të largohet sipas kushteve të tij. Por për ta arritur këtë, i nevojiten shumë të arritura në terren: “Rusia nuk mund të thotë thjesht se është përmbushur misioni. Duhet të ekzistojë diçka që opinionit mund t’i prezantohet si fitore”.
Dhe kjo është logjika që Putinit duket se po e ndjek duke vërtetuar referendumet e rreme në rajonet e Ukrainës, Luhansk, Donetsk, Zaporizhzhia dhe Kherson, duke i shpallur ato si pjesë të Rusisë.
Të njëjtin skenar e ndoqi gjatë aneksimit të Krimesë në vitin 2014, dhe tani si atëherë, po kërcënon me sulme bërthamore nëse Ukraina ka mbështetjen e aleatëve të saj perëndimorë, dhe përpiqet të rikthejë territoret e aneksuara.
Javën e kaluar, këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, tha për NBC se Washingtoni do të përgjigjet me vendosmëri nëse Rusia përdor armë bërthamore kundër Ukrainës, dhe ia bëri të qartë Moskës për pasojat katastrofike me të cilat do të përballet.
Liderët perëndimorë gjithashtu kanë bërë të ditur se nuk do t’i njohin rajonet e lartcekura si pjesë të territorit të Rusisë.
Presidenti amerikan Joe Biden, tha se lëvizjet e Moskës nuk kanë legjitimet, duke shtuar se Washingtoni do të vazhdojë të respektojë kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës.
Bashkimi Evropian bëri të ditur se nuk do ta njohë kurrë aneksimin e paligjshëm të Kremlinit – duke e përshkruar këtë veprim si një shkelje të re të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.
Nuk është diçka e re ajo që po bën Putini, kështu që lëvizjet e tij janë të parashikueshme dhe për këtë arsye edhe më të lehta për t’u analizuar.
Kurt Walker, ambasador i SHBA-së në NATO dhe përfaqësues special i SHBA-së në Ukrainë në kohën e presidentit Donald Trump, beson se Putini mund të jetë duke u përgatitur për paqe: “Mendoj se ai duhet të tundë armët bërthamore, të bëjë të gjithë llojet e kërcënimeve ndaj Evropës dhe pastaj të thotë, ‘në rregull, le të negociojmë një zgjidhje dhe më lejoni të mbajë atë që tashmë e kam marrë’”.
Fiona Hill, që këshilloi tre presidentë amerikanë sa i përket Sigurisë Kombëtare lidhur me çështjen e Rusisë, gjithashtu mendon se Putini mund të jetë duke u përpjekur ta përfundojë historinë: “Ai po e ndjen se ka humbur iniciativën dhe tani po përpiqet të dalë nga lufta në të njëjtën mënyrë si është futur në të, duke luajtur rolin kryesor dhe të krijoj kushte për negociata”.
E nëse këto analiza janë të sakta, tregojnë shumë për atë çfarë ndodhi në Detin Baltik të hënën. Sizmologët danezë dhe suedez regjistruan valë shpërthyese pranë shtratit të detit. Shpërthimi i parë ndodhi rreth orës 2 të mëngjesit, me fuqi shkatërruese prej 2.3 shkallë magnitudë dhe më pas i dyti rreth orës 19:00.
Brenda pak orësh, u raportua për trazim të detit, danezët dhe gjermanët dërguan luftanijet për të siguruar zonën dhe Norvegjia rriti sigurinë rreth objekteve të saj të naftës dhe gazit.
Deri më tani, të paktën katër rrjedhje janë zbuluar në tubacionet e gazit rus Nord Stream 1 dhe 2, ku secili ngjante me një kazan të zier në sipërfaqe të ujit, dhe më i madhi ishte një kilometër në diametër dhe nxorën sasi të gazrave toksike në atmosferë.
Zyrtarët evropianë të sigurisë kanë parë anije të marinës ruse në atë zonë ditëve të fundit. NATO e përshkroi dëmin si një akt sabotazhi të qëllimshëm, të pamatur dhe të papërgjegjshëm.
Në anën tjetër, Rusia mohon përgjegjësinë duke thënë se ka nisur hetimet. Por ish-shefi i CIA-s, John Brennan, tha se Rusia ka përvojë të shkaktoj këso lloj dëmesh: “Të gjitha shenjat tregojnë për një lloj sabotimi. Këto tubacione gazi janë rreth 70 metra thellë dhe Rusia ka aftësinë të vendosë mjete shpërthyese përgjatë atyre tubacioneve”.
Analiza e Brennan tregon se Rusia është fajtori i mundshëm i sabotimit, dhe se Putini ka gjasa të përpiqet t’i dërgojë një mesazh Evropës se Rusia mund të arrijë përtej kufijve të Ukrainë.
Pra, kush e di se çfarë mund të arrijë më pas. Nord Stream 2 nuk ishte kurrë funksional, kurse Nord Stream 1 u mbyll nga Putini derisa Evropa u përpos të furnizohet me gaz para dimrit, duke refuzuar kërkesat për furnizim dhe duke kërkuar furnizues alternativë.
Sabotimi i gazsjellësit Nord Stream mund të jetë sipas Hill, loja e fundit e Putinit, kështu që nuk ka kthim prapa rreth çështjes së gazit.
Me këtë, Evropës i pamundësohet të vazhdojë të krijojë rezerva të gazit për dimër. Pra, ajo çfarë Putin po bën është hedhja absolute e të gjitha adutëve në atë çfarë po ndodhë sot.
Faktori tjetër që po përshpejton të menduarit e Putinit mund të jetë ardhja e dimrit. As Napoleoni e as Hiterli nuk arritën të marrin Moskën, pasi linjat e furnizimit përmes Ukrainës ishin të gjata dhe i ishin ekspozuar dimrit ekstrem. Walker thotë që Putinin tani është nën presion nga ajo çfarë e shpëtoi Rusinë: “Këtë herë është Rusia që duhet të mbrojë furnizimin, duke u përpjekur të mbajë forcat e saj në Ukrainë. Ky mision do të jetë shumë i vështirë këtë dimër. Pra krejt papritur, për shkak të gjithë këtyre faktorëve, Putinit po i kalon koha”.
Thelbi i kësaj sipas Hill, është se iniciativa që e ka ndërmarrë Ukraina në fushëbetejë dhe që Putin e ka humbur dhe po tenton të përshtatet me rrethanat, të marrë përgjegjësinë dhe të përdor çdo avantazh. Askush nuk e di se çfarë po ndodh në të vërtetë në mendjen e Putinit.
Kortunov dyshon se Putini është i gatshëm të bëjë kompromis përtej kushteve të tij për paqe: “Ai nuk do të pranojë kushtet e Ukrainës apo Perëndimit, megjithatë duhet të jetë gati për një shkallë fleksibiliteti. Nuk e dimë se sa është i gatshëm të lëshoj pe”.
Sipas Hillit, Putin dëshiron të negociojë me Bidenin dhe aleatët, por jo me Ukrainën: “Ai në fakt po thotë se tani do të duhet të negociojmë me të dhe të kërkojmë paqe. Kjo do të thotë të njohim situatën në terren në Ukrainë”.
Pasi dështoi përballë unitetit ushtarak perëndimor që mbështet Ukrainën, Putin duket i gatshëm të testojë vendosmërinë perëndimore në mënyrë diplomatike, duke u përpjekur të ndajë aleatët perëndimorë mbi kushtet e paqes.
Putini e di se është mbështetur për muri, por duket se nuk po e kupton se sa pak hapësirë ka të operojë. Kjo sigurisht, është gjëja më shqetësuese për të, por a është vërtetë i gatshëm të ndjekë kërcënimet e tij bërthamore? Lufta në Ukrainë mund të ketë hyrë në një fazë të re dhe Putini mund të mbështetet për muri, por fundi i konfliktit mund të jetë akoma shumë larg.